Kryeministri francez kundër rikthimit të Benzemasë në kombëtare

15/03/2016 00:00

Benzema është i lirë të grumbullohet sërish me kombëtaren franceze të futbollit pas heqjes së kontrollit gjyqësor nga Gjykata e Apelit të Versajës.

Megjithatë duket se jo të gjithë janë në favor të kthimit të tij me skuadrën e “bluve” dhe një prej atyre që e kundërshton me forcë këtë është vetë kryeministri Manuel Valls.

“Nuk janë kushtet që Benzema të kthehet në kombëtaren franceze”, u shpreh Valls në një intervistë për median transalpine.

Benzema, pavarësisht heqjes së kontrollit gjyqësor, vazhdon të jetë nën akuzë për bashkëpunim në shantazhin e bërë ndaj Valbuenës. Sipas burimeve pranë organeve që hetojnë këtë çështje, Benzema kur u mor në pyetje nga policia ne 5 nëntorin e vitit ta kaluar e pranoi përfshirjen e tij në këtë skandal.

Sipas asaj që publikohet nga e përditshmja “L’Equipe” ne versionin online të saj, Benzema kishte deklaruar se i duhej të bënte ndërmjetësin për të vënë në kontakt Valbuenën dhe Karim Zenati për ta bindur mesfushorin e Lionit që të paguante shifrën prej 150 mijë eurosh të kërkuar për mospublikimin e videos së tij erotike.

Ishte pikërisht ky fakt që ndikoi në vendimin e Federatës Franceze të Futbollit që të lërë Benzema jashtë përfaqësueses.

Top Channel