Partizani-Skënderbeu, sfida për titullin kampion

14/03/2016 12:25

Java e 26 e Kategorisë Superiore do të mbyllet mbrëmjen e sotme me ndeshjen më të rëndësishme. Në “Qemal Stafa”, në orën 19:00, do të jetë përballja mes Skëndërbeut kryesues dhe Partizanit të vendit të dytë, një ndeshje ende larg fundit të kampionatit, por që gjithsesi për të dyja skuadrat do të përcaktojë shumë për vazhdimësinë e tyre në rrugën e objektivit të titullit të këtij viti.

Vetëm një barazim dhe katër fitore në 5 ndeshjet e fundit për korçarët, dy barazime e 3 fitore për të kuqtë kryeqytetas, përfshirë këtu edhe derbin, fitorja e të cilit i dha një tjetër hov marshimit të tyre.

Në përballjen e dy fazave të para ka një barazpeshë, fitore e Partizanit në Tiranë dhe e Skëndërbeut në Korçë, ndërkohë sa i përket statistikave të përgjithshme historia e madhe e të kuqve dominon bindshëm ndaj kampionëve në fuqi. 107 herë janë përballur me njëri-tjetrin Partizani dhe Skëndërbeu dhe nga këto, 62 fitore i mbajnë kryeqytetasit kundrejt 20 fitoreve të korçarëve, ndërkohë që daton më 4 maj të 2014-s fitorja e fundit e Skëndërbeut në kryeqytet, ndërkohë që Partizani ka fituar 6 nga dhjetë përballjet e fundit të “Qemal Stafës”.

Megjithatë, sot në mbrëmje kampionët në fuqi vijnë me avantazhin e 4 pikëve më tepër se Partizani, por kur sheh se kanë mbetur ende edhe 10 javë deri në fund të kampionatit, gjithçka mbetet e hapur.

Top Channel