Kosovë, seanca e Kuvendit vijon të martën. Këtë herë pa gaz lotsjellës

14/03/2016 00:00

Kuvendi i Kosovës do ta vazhdojë të martën seancën plenare, që duket se nuk ka gjasa të ndërpritet nga gazi lotsjellës, pasi deputetët e tri partive opozitare nuk do të marrin pjesë.

Seanca është vazhdim i asaj që u ndërpre të enjten e kaluar, nga ku opozita doli e bashkuar me thirrjen për bojkot. Por, pas kësaj, partitë opozitare kanë qasje të ndryshme mbi mënyrën sesi do të vazhdojë bojkoti.

“Tani, nëse ky do të jetë vendim i përhershëm, apo mund të ketë zhvillime të reja, do të shohim. Megjithatë për Aleancën është i përhershëm. Ne nuk kemi ndryshim”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Ndërsa AAK dhe NISMA janë për bojkot afatgjatë, Vetëvendosje do të vlerësojë çdo seancë, nëse do të vendosin për t’i bllokuar apo jo.

“Sa i përket pjesëmarrjes së deputetëve të Vetëvendosjes në seancat e ardhshme të Kuvendit, këtë do ta vlerësojmë nga seanca në seancë, për shkak se, duke ditur çfarë pushteti kriminal kemi, e dimë që ata mund të kontrabandojnë tema të dëmshme për Kosovën, siç janë likuidimi i Trepçës apo statuti i Zajednicës. Në këto raste, sigurisht ne do të marrim pjesë për të penguar dhe pamundësuar një gjë të tillë”, tha Adonis Tahiri, zëdhënës i Vetëvendosjes.

Në vazhdimin e seancës plenare, Kuvendi do të ketë vetëm një pikë në rendin e ditës, atë për zgjedhjen e anëtarëve të bordit në organin shqyrtues të Prokurimit Publik, që hyn në kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave.

Top Channel