“Fiks Fare” në Kosovë, mbetet ende pezull njohja e diplomave shqiptare

14/03/2016 00:00

“Fiks Fare” solli rastin e mijëra studentëve kosovarë që studiojnë në universitetet private në Shqipëri, por që diplomat e tyre nuk njihen nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Më 8 shkurt 2016, pas një takimi me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ministri kosovar i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se që javën e ardhme do të miratojmë udhëzimin administrativ për njohjen e diplomave të studentëve kosovarë që diplomojnë në universitetet private në Tiranë.

“Falë bashkëpunimit shumë të mirë me ministren Nikolla ne kemi zhvilluar një proces konsultash dhe jemi në finalizim që të fillojmë me njohjen e diplomave të institucioneve private të arsimit të lartë. Shumë shpejt, ndoshta që javën e ardhshme, do të miratojmë udhëzimin administrativ për njohjen e diplomave të studentëve kosovarë që diplomojnë në institucionet private në Shqipëri”, pati deklaruar Bajrami.

Përfaqësues i të diplomuarve në universitetet private në Shqipëri, Niman Bardhi, flet për 3 mijë studentë kërkesat e të cilëve për njohjen e diplomave vazhdon të refuzohet nga institucionet kosovare. Ai tha se marrëveshja Kosovë-Shqipëri, po respektohet vetëm nga këta të fundit.

“Numri i të diplomuarve është rreth 3 mijë në të gjitha universitetet jopublike shqiptare. Nga 2010 e këtej ky proces është ndërprerë. Përkundër shumë kërkesave, takimeve dhe shkresave zyrtare që ju kemi adresuar institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri asgjë nuk është bërë. Në fakt marrëveshja e arritur mes dy vendeve nuk po respektohet vetëm nga Kosova, pasi Shqipëria i njeh të gjitha diplomat, qoftë në universitetet publike, qoftë ato të institucioneve arsimore private”, tha Bardhi.

“Fiks Fare” shkoi në Qendrën Kombëtare të njohjes së diplomave në Kosovë për të parë se çfarë përgjigje japin punonjësit.

Qendra Kombëtare për njohjen e diplomave, Kosovë

Punonjësja e ministrisë: Ti ke aplikuar?
Fiksi: Po, po.
Punonjësja e ministrisë: Veç për privat, çfarë kanë aplikuar ju kemi dhënë përgjigje negative.
Punonjësja e ministrisë 2: Riaplikim për universitet privat nuk mundesh të bësh. Bisedime janë vërë, por marrëveshje ende nuk kanë. Bisedimet janë.
Punonjësja e ministrisë: Ende nuk kemi ndonjë udhëzim administrativ. Se duke u bazuar në atë marrëveshje, ne e bëjmë një udhëzim administrativ në bazë të të cilit zyra jonë punon. Unë nuk mundem të pranoj dokumentet, se bëj shkelje. Secili shtet ka politikat e veta.

“Fiks Fare” shkoi sërish në Qendrën Kombëtare të njohjes së diplomave në Kosovë, kësaj radhe me një tjetër student.

Qendra Kombëtare për njohjen e diplomave, Kosovë

Ish-studenti: Përshëndetje! Kam ardhur për punën e nostrifikimit (njohje diplome).
Punonjësja e ministrisë: Ku e ke përfunduar ti?
Ish-studenti: Në privat, në Shqipëri.
Punonjësja e ministrisë: Për momentin neve nuk na ka ardhur diçka me shkrim. Në momentin që do kemi diçka, sigurisht që të gjithë do lajmëroheni.
Ish-studenti: Sa do të zgjasë kjo punë?
Punonjësja e ministrisë: Nuk e di. Nëse bëhet diçka, ju njoftojmë.

“Fiks Fare” takoi edhe drejtoreshën e Arsimit të Lartë dhe ajo tha se, pavarësisht kërkesës së zyrës së saj, ministri nuk e ka firmosur udhëzimin.

Drejtoria e Arsimit të Lartë, Kosovë

Ish-studenti: Ne kemi përfunduar studimet në universitetin privat.
Drejtoresha e Arsimit të Lartë: Nuk ka, po presin ndonjë udhëzim të shkruar.
Ish-studenti: Nuk kemi informacione. Nuk po dimë kujt t’i drejtohemi.
Drejtoresha e Arsimit të Lartë: Më kujtohet që keni qenë edhe njëherë…
Ish-studenti: Po.
Drejtoresha e Arsimit të Lartë: Situata është e njëjtë, ashtu siç e kemi biseduar edhe më parë. Po presim që ta firmos ministri.
Fiksi: Po ju si administratë, nuk e keni idenë kur mundet të ndodh?
Drejtoresha e Arsimit të Lartë: Ne po presim. Më vjen keq edhe ti takojmë studentët. Udhëzimin e firmos ministri. Kemi telashe, dhe nga qershori i vitit të kaluar kemi kërkuar që të zgjidhet. Na kanë thënë ta bëjmë me shkrim, e kemi bërë dhe e kemi dorëzuar. Kemi qenë të gatshëm të ndihmojmë.

Por, nëse ti fillon masterin në një universitet privat në Kosovë, nuk të pyet njeri më se ku e ke përfunduar bachelorin.

Universitet privat në Kosovë

Fiksi: Përshëndetje! Si jeni? Unë jam …. studente nga Shqipëria. Po interesohem për të nisur masterin në një universitet këtu. Kam mbaruar atje bachelor, por e kam mbaruar në privat. Nuk më është nostrifikuar (njohur) diploma nga Ministria e Arsimit. Është problem kjo apo…
Koordinatori i universitetit privat: Ka shumë kandidatë që kanë bërë edhe master dhe nostrifikimi (njohja) e tyre është zgjat.
Fiksi: Po pra a është pengesë, ky është meraku im. A nuk është pengesë që unë të vazhdoj studimet këtu. Nuk ka pengesë besoj?
Koordinatori i universitetit privat: Ja, ti e bën kërkesën për nostrifikim (njohje). Nuk ka telashe, nuk besoj që nxjerr telashe. Të thash që kemi pasur prej universiteteve private të Tiranës.
Fiksi: OK, po në momentin që unë e mbaroj këtu pastaj, ai studenti që e ka mbaruar i është nostrifikuar (njohur) direkt? I është quajtur?
Koordinatori i universitetit privat: Po, po… direkt!
Fiksi: S’ka lidhje ku e ke mbaruar bachelorin?
Koordinatori i universitetit privat: Jo s’ka fare lidhje. Kam shumë raste.

“Fik Fare” tentoi të merrte edhe një prononcim nga ministri i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami, i cili bëri një premtim para më shumë se një muaji në Tiranë, po ai u largua pa i dhënë përgjigje gazetarit.

Top Channel