Anëtarët e rinj të KLD-së, 3 gjykatës në garë për dy vende bosh

14/03/2016 15:45

Më 21 mars gjyqtarët e të gjitha gjykatave do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur edhe dy anëtarë të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kjo datë është vendosur në përfundim të mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv Gjyqësor të kësaj të hëne, të mbajtur në Gjykatën e Lartë.

Por ndërsa po ky këshill e kishte deklaruar edhe më herët këtë datë, është parë i nevojshëm një takim i dytë, pasi gjatë kësaj periudhe nuk u dorëzuan emra për kandidatët që do të kërkojnë votat e kolegëve të tyre.

Këtë të hënë është konfirmuar se kanë depozituar kërkesën për të garuar për në KLD 3 gjyqtarët: Neritan Cena, i Shkallës së Parë Tiranë; Ridvan Hado i Apelit; dhe Dhimitër Lara, i Apelit të Krimeve të Rënda.

Të tre gjyqtarët do të garojnë për dy vendet që mbetën bosh në KLD, pasi më datë 8 prill u përfundon mandati anëtarëve Dritan Caka dhe Hysen Saliko. Më 14 dhjetor, Konferenca Kombëtare Gjyqësore votoi edhe për katër anëtarë të rinj të KLD-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA