Juventus, një vit me rekorde për talentin Paulo Dybala

13/03/2016 00:00

Paulo Dybala erdhi mes skepticizmit te Juventusi, me peshën e madhe për të zëvendësuar bashkëkombasin e tij Carlos Tevez, por duket se me lojën dhe statistikat e regjistruara, talenti po justifikon çdo cent nga milionat e shpenzuara për të.

Pas 4 ndeshjesh pa shënuar, argjentinasi konfirmoi se është në lartësinë e duhur për kampionët, me një të majtë të bukur ndaj Sassuolos, duke kaluar kështu edhe rekordin personal.

Në sezonin e e kaluar me fanelën e Palermos, futbollisti amerikano-jugor ishte ndalur në kuotën e 13 golave, ndërsa këtë kampionat e ka kaluar me vetëm një gol këtë shifër, e cila është e destinuar të rritet edhe më tej.

Paulo Bruno Exequiel Dybala, i lindur në 1993-shin, është tashmë një talent botëror që nuk mund të diskutohet. Kur bardhezinjtë fituan konkurrencën ndaj Milanit për ta blerë, ata patën opinione kundër, por tani duket se kanë vepruar drejt.

Argjentinasi ka dhënë gjithashtu 8 asiste për shokët e tij te “Zonja e vjetër”, ndërsa ka qenë pjesëmarrës në aksionet e 43% të golave të Juventusit.

10 ndeshje në Serie A pa pësuar gol dhe 11 fitore radhazi në shtëpi. Me këtë ritëm, vetëm Napoli mund t’i krijojë probleme Juventusit në kampionatin e vendit të Apenineve. Të mërkurën, kampionët e Italisë do të kenë një mision të vështirë në Mynih, kundër Bayern Munchen dhe, nëse duan të vazhdojnë aventurën në Champions do të duhet patjetër të mbështetet te “shpikjet” e Dybalasë.

Top Channel