Ibra: PSG? Qëndroj nëse zëvendësojnë Kullën Eiffel me statujën time

13/03/2016 00:00

Zlatan Ibrahimovic do të largohet nga kampionët e PSG-së këtë verë, por sulmuesi mund të ndryshojë mendje nëse Kullën Eiffel në Paris e zëvendësojnë me statujën e tij.

Suedezi shënoi katër gola në ndeshjen ndaj Troyes që u mbyll me rezultatin 9-0, duke bërë që PSG të sigurojë titullin 8 javë nga fundi.

Pas ndeshjes, presidenti i skuadrës franceze, Nasser Al Khelaifi, tha se do që Ibra të qëndrojë. “Ne duam që Ibra të qëndrojë. Do ta diskutojmë sërish këtë mundësi”, tha ai.

Por, sulmuesi që është vënë në objektivin e Manchester United dhe Arsenalit, kishte një kërkesë të veçantë nëse francezët dëshirojnë ta shohin atë sërish në kampionatin e tyre.

“Aktualisht mund t’ju them që nuk do të jem te PSG-ja sezonin e ardhshëm, por do jem këtu edhe një muaj e gjysmë deri në përfundim të kontratës. Nëse ata zëvendësojnë Kullën Eiffel me statujën time, ju premtoj që do qëndroj”, deklaroi suedezi.

Top Channel