Integrimi drejt BE, Shqipëria shënon një tjetër moment historik, të hënën çelet grupkapitulli i fundit i negociatave
Në takimin me disa nga drejtuesit e qendrës së djathtë europiane, si dhe me disa ministra të Jashtëm europiane dhe Komisionerin për zgjerimin Johannes Hahn, kreu i opozitës tha se zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është një kusht themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Rama se me mbrojtjen publike të disa të zgjedhurve lokalë, deputetëve dhe ish-deputetëve, ai po sfidon dekriminalizimin.
Në takimet me partneret europianë, Lulzim Basha, shprehu shqetësimin se mazhorancës i mungon vullneti për të bashkëpunuar me opozitën dhe me frymën e konsensusit për të prodhuar një reformë në drejtësi, që lufton korrupsionin dhe pamundëson kapjen politike të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Reforma në Drejtësi ishte një tjetër çështje e diskutuar në takimet e zotit Basha. Në deklaratën e lëshuar nga Partia Demokratike thuhet se lideri i opozitës ka shprehur shqetësimin për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të bashkëpunuar në frymën e konsensusit politik, për të prodhuar një reformë në drejtësi, e cila lufton korrupsionin, pamundëson kapjen politike dhe vendosjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në shërbim të qeverisjes, qeverisë apo Kryeministrit.
“Implementimi i ligjit të dekriminalizimit është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Shqipërisë, për të ardhmen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, që ato të jenë të lira e të ndershme, ndryshe nga ç’ndodhi në zgjedhjet e 2015. Natyrisht për reformën në drejtësi, e cila nuk duhet nuk mund dhe nuk do të miratohet me votat e personave me rekorde kriminale që janë të ulur sot në parlament. Ata duhet të largohen nga parlamenti për të përgatitur rrugën për reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat për Shqipërinë janë sfida përcaktuese për integrimin europian dhe të ardhmen e saj”, tha Basha në Vjene.
Basha përsëriti qëndrimin e opozitës se rekomandimet e Venecias janë udhërrëfyesi më i mirë për reformën në drejtësi.
Top Channel