Vargjet që nuk duan sy, historia e poetit Petraq Kolevica

12/03/2016 00:00

Një poezi e Robert Berns është lajtmotivi i krijimtarisë poetike të Petraq Kolevicës. I njohur për vargjet e krijuara e të përkthyera, po aq sa për profesionin e arkitektit, të cilin e ushtroi për 22 vite, deri në vjeshtën e vitit 1974, kur e larguan me atë që sot tingëllon si më absurdi i arsyetimeve.

“Ishin paradokset e kohës pse bëmë arkitekturë moderne dhe kjo ka qenë një nga motivet për të goditur të tjerët kot, meqenëse unë desha të bëja diçka më ndryshe dhe e bëra ç’është e vërteta diçka më ndryshe”, thotë Kolevica.

Arkitekt Kolevica i rikthehet me detaje objekteve që mbajnë firmën e tij, siç është për shembull Muzeu Historik Kombëtar, apo objekteve që shumë herë e kanë vënë në shënjestër, si në rastin e bllokut të pallateve që projektoi pas Bankës së Shqipërisë.

“E çuan ta shihte Mehmet Shehu, i cili i vuri kryqin në atë kohë dhe nuk ishte e pakët ajo për mua, pasi isha 25 vjeç atëherë dhe ajo ishte një nga ndërtimet e para që bëra. Pastaj bëra një bibliotekë në Korçë, që u kritikua më tepër nga vetë Enver Hoxha”, tregon arkitekti.

“Jam konfrontuar dhe vetëm me të drejtën kam fituar, me servilizma jo. Unë i bëja me gjithë shpirt gjërat që bëja. Me të vërteta të tilla e kam përballuar”, shprehet ai.

Këtu zë fill dhe kalvari i akuzave ndaj Kolevicës, i cili gjithësesi i shpëtoi burgimit, por jo vëzhgimit dhe dërgimit në gjirin e klasës punëtore. Pikërisht aty lindën disa nga poezitë e tij më të bukura, të cilat u botuan vetëm pas viteve ‘90 me titullin “Këngë nga Koha e Keqe”.

“Shkruaja por nuk botoja gjë, pasi ishin poezi që në atë kohë nuk botoheshin. Krijimtaria origjinale filloi tamam në kohën kur shkova nëpër kantjeret e ndërtimit. Më dërguan në Valias, pastaj tek uzina e paneleve të ndërtimit dhe kohën time ia kushtoja poezisë, jo se ja kushtoja unë, por vinte ajo tek unë”, rrëfen Kolevica.

Por kush i lexonte poezitë?

“Vetëm unë dhe gruaja. Ajo e dinte se ku i kishim. Asnjeri tjetër nuk i pati lexuar e asnjeri nuk i dinte se ku ishin”, vijon tregimi.

Një jetë e trazuar në krah të së cilës i ka qendruar gjithmonë pranë e shoqja, Edit Logoreci, dikur inxhiniere ndërtimi. Arkitekt Kolevica, i cili pas viteve ‘90, për një vit ishte edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kujton një ndër momentet e vështira kur i kërkonin të bënte autokritikë dhe bashkë me fundin e karrierës, shumëkush mendoi se i kish ardhur fundi edhe jetës së tij bashkëshortore.

“Ishim bashkë me gruan në fund, në Pallatin e Kulturës, në një sallë ku kishin ardhur të paktën 100 inxhinierë e kryeinxhinierë nga e gjithë Shqipëria. Erdhi puna që duhej të flisja, u ngrita dhe nuk bëra autokritikë, mbrojta punën time. Mbaroi mbledhja dhe u ngritëm bashkë me gruan të dilnim, por neve nuk na u afrua më njëri. Na thoshtë më vonë një shoku ynë, që pasi kishim ikur njerëzit thoshin: a do ta ndajë Edita këtë? Si thoni, a do ta ndajë? Atëherë ajo më hodhi krahun dhe ikëm bashkë. Unë isha i rrënuar ç’është e vërteta pas asaj fjale. Por ajo më hodhi krahun dhe shkuam bashkë. Jo – tha – nuk do ta ndaj!”.

Arkiteti dhe e shoqja  na presin në shtëpinë e tyre, një banesë e thjeshtë, e mbushur me libra dhe histori. Një hapësirë të cilën fatkeqësish mund ta përshkojë vetëm në sajë të një karroce ku mbështetet e që me humor, Petraq Kolevica e quan xhaguari i tij.

“Dita kalon vetë për fat të keq, bej ndonjë shkrim të vogël, por natyrisht kjo periudhë e keqe e jetës sime është sepse nuk shkruaj e nuk lexoj dot. Por, megjithatë, gjej ca mënyra që të mund ta përballoj e që të mos bie në ca pesimizma të tilla të kota, që nuk i kam në natyrën time”, thotë Kolevica.

Petraq Kolevica sot është 82 vjeç. Por mosha dhe gjendja e rënduar shëndetësore, që prej vitesh i kanë marrë një pjesë të madhe të shikimit dhe këmbëve bien ndesh me kthjelltësinë e mendjes dhe kujtesën e pabesueshme. Dhe sidomos, me dëshirën për të jetuar e punuar akoma.

“Të gjithëve u mbetet diçka pa realizuar, por unë kam tani në proces një album që gati është i përfunduar. Po bëhen plot 15 vjet që nuk lexoj e nuk shkruaj dot dhe kjo është pengesë e madhe, megjithatë kam shkruar e kam botuar edhe në këtë periudhë të keqe. Më ka ndihmuar gruaja, që ia thosha dhe ajo i shkruante”, thotë Kolevica.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA