Simeone vlerëson Atleticon: Motivohemi nga fanela, jo nga titujt

11/03/2016 00:00

Atletico Madrid përfundoi përgatitjet për një tjetër ndalesë të rëndësishme në kampionatin spanjoll të futbollit, ndaj Deportivo La Coruna, rivali i radhës në La Liga. Formacioni i trajnerit Diego Simeone do të luajë në stadiumin “Vicente Calderon” me synimin për t’iu afruar më shumë Barcelonës kryesuese, si rivalja kryesore për titullin.

Plot 8 pikë i ndajnë “Los Colchoneros” nga katalanasit në vendin e parë, kur duhen edhe 10 ndeshje nga fundi i sezonit. Atletico Madrid është gjithashtu në duel me PSV-në për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Champions League. Pavarësisht se është në garë për dy trofe të rëndësishëm, trajneri Simeone ka theksuar se, skuadra e tij motivohet nga fanela dhe jo nga titujt.

“Pavarësisht situatës delikate, në të cilën ndodhemi, ne punojmë me të njëjtin përkushtim dhe entuziazëm, sepse e kemi tejet argëtuese kur luajmë me fanelën e Atleticos. Ne e bëjmë këtë me mentalitetin e duhur dhe kjo nuk do të ndryshojë, pavarësisht trofeve. Në 10 ndeshjet e fundit në La Liga, kemi mundësinë të luftojmë për kampionatin”, tha ish-mesfushori argjentinas, tani në stolin e Atleticos.

Skuadra madrilene luan të shtunën në orën 20:30 ndaj Deportivo La Coruna.

Top Channel