Kosovë, tentuan t’i bashkohen ISIS-it, prokuroria ngre aktakuzë

11/03/2016 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 3 të pandehurve për veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Në një njoftim për shtyp të Prokurorisë thuhet se gjatë zhvillimit të hetimeve është vërtetuar fakti se të pandehurit me iniciale T.I, I.Z dhe N.Z, janë përpjekur të shkojnë në Siri,  sipas një itinerari që filloi te stacioni i autobusëve në Prishtinë. Me autobus kanë udhëtuar drejt Shkupit dhe nga atje kanë marrë një avion për në Turqi.

“Të pandehurit, në aeroportin e Stambollit, janë ndaluar nga autoritetet turke dhe pas dyshimeve se do të udhëtonin për në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it, janë kthyer në Shkup dhe janë ndaluar nga policia e Kosovës gjatë hyrjes në pikën kufitare të Hanit të Elezit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Që nga viti 2010, në Kosovë janë shqyrtuar nga drejtësia 61 çështje të ndërlidhura me terrorizmin, shumica prej tyre gjatë vitit 2015.

Top Channel