Basha në Burrel: Rama po shfarros lekët e popullit. PD, gati të sjellë ndryshimin

11/03/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua këtë të premte me banorë të Burrelit dhe të fshatrave përreth, Burgajet, Macukull, Rukaj, Derjan, etj.

Banorët dhe tregtarët e këtyre zonave shprehën shqetësimin për varfërinë, papunësinë dhe pamundësinë për të përballuar kostot e jetesës që sa vijnë e rriten.

Nga ana e tij, Basha vuri në dukje se, papunësia, rritja e çmimeve, rritja e faturave, e taksave dhe kriza ekonomike që ka përfshirë vendin janë produkt i keqqeverisjes dhe korrupsionit.

Zoti Basha theksoi para banorëve se Partia Demokratike është gati të sjellë ndryshimin e madh që presin shqiptarët përmes politikave që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhë punësimin e ku paratë që mblidhen nga taksat e qytetarëve do të shkojnë për investime dhe jo në xhepat e qeveritarëve.

“Ne jemi gati t’i prijmë një ndryshimi të madh, ndryshim i cili në thelb do të ketë për detyrë që këto para t’ua kthejë qytetarëve shqiptarë. Së pari, duke ulur taksat, duke mos e futur dorën kaq thellë në xhepin e shqiptarit; duke marrë një seri masash që ndihmojnë shtresat më të goditura, siç është ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe falja e kamatëvonesave; si dhe duke marrë të tjerë hapa që heqin apo lirojnë lakun që i ka ardhur në fyt çdo shqiptari”, deklaroi Basha.

Më pas, vijoi ai, ato para që do të mblidhen do t’u kthehen shqiptarëve në vende pune me rroga më të mira. “T’i kthejmë shqiptarëve kantiere ndërtimi, sepse kanë nevojë edhe për rrugë, edhe për ura, edhe për ujësjellës, edhe për kanalizime, edhe për shkolla të reja”, tha Basha.

Kreu i PD akuzoi kryeministrin Rama se, i vetëdijshëm që shqiptarët nuk e duan më, çdo ditë vjedh paratë e tyre në mënyrë që t’u blejë votat kur të vijnë zgjedhjet. “Ai mban dhe personat me rekorde kriminale që t’i përdorë për të ushtruar presion ndaj votuesve”, deklaroi Basha, që paralajmëroi edhe rrezikun e blerjes së votave.

“Kësaj ne duhet t’i kundërvihemi dhe do t’i kundërvihemi me të gjitha forcat”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB