Mandati i deputetit Koço Kokëdhima do i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, pas votimit në seancën parlamentare. Me 106 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime, është kjo gjykatë që do të shqyrtojë rastin e konfliktit të interesit për deputetin socialist.
Opozita kërkon heqjen e mandatit të deputetit të Vlorës, duke akuzuar atë se ka përfituar fonde publike pasi është zgjedhur deputet, por kjo është kundërshtuar nga i zgjedhuri socialist edhe në këtë seancë.
Tahiri dhe Bushati i përgjigjen Blushit: Kemi marrë masa. Muxhahedinët, jo si refugjatët
Të dy ministrat, Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati kanë vënë theksin në një përgjigje sa më të unifikuar të BE-së, përsa i përket krizës së refugjatëve, që mund të prekë edhe Shqipërinë.
Duke iu përgjigjur deputetit Ben Blushi, ministri Tahiri tha se institucionet shqiptare janë rakorduar për të koordinuar masat dhe për të adresuar çështjen.
“Sot që flasim institucionet në tërësi janë të rreshtuara me urdhër të kryeministrit dhe një grup institucional pune që mblidhet çdo javë për të koordinuar masat dhe për të adresuar çështjet në rast se kjo vjen. Një zgjidhje e qëndrueshme nuk vjen kurrë nga vullneti unilateral të çdo vendi”, tha z. Tahiri.
Ndërsa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se Shqipëria është mes 12 vendeve që mund të preken potencialisht nga kriza e refugjatëve të cilat në rang kryeministrash bëjnë konferenca në distancë për koordinim masash dhe shkëmbime informacioni.
Krahasimit të Blushit të refugjatëve me muxhahedinët, të dy ministrat theksuan se janë dy çështje krejt të ndryshme.
Blushi pro hapjes së kufijve për refugjatët: Të vetmit që strehuam hebrenjtë
Deputeti socialist Ben Blushi është pro hapjes së kufijve për refugjatët sirianë, nëse ata i drejtohen Shqipërisë për strehim, për të kaluar më pas drejt Europës. Duke folur në Kuvend, Blushi përmendi rastet kur Shqipëria ka qënë mikëpritëse dhe është mirëpritur, si hebrenjtë dhe kosovarët.
“Një valë e re refugjatësh janë bllokuar në Greqi. Mundësia që të vijnë në Shqipëri është çdo ditë e më e madhe. Çfarë do të bëjmë ne nëse ndodh? Nëse njerëz të ikur nga lufta vijnë dhe kërkojnë të strehohen përkohësisht në Shqipëri për të shkuar më tej në Europë. Çfarë do të bëjmë ne? Në kaq shumë vite, që kur Shqipëria është hapur ne kemi provuar si na kanë trajtuar të huajt, komshinjtë, apo vende të tjera kur kemi pasur nevojë dhe kemi emigruar. Po nuk e kemi provuar akoma çdo të thotë të kesh komshi dikë që nuk është shqiptar. Ne ishim i vetmi vend në Europë që strehuam hebrenjtë. Në fund të luftës ishim i vetmi vend ku kishte më shumë hebrenj se çkishte para luftës”, vijoi Blushi.
Blushi tha se ka ardhur koha që të kalohet një test i shqiptarëve, për të provuar se nuk janë racist.
Idrizi: Rama dhe Dule të ishin mbështetës të çështjes çame
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministrit Rama në Kuvend. Ai thotë se nuk ndikohet nga miqësitë politike të Ramës.
“Nuk ndikohem nga miqësitë politike të Ramës. Do të mirëprisja që z. Rama dhe Dule të ishin mbështetës dhe miq të zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve të Çamërisë”, shprehet z. Idrizi.
Dule: Politika, e kriminalizuar; Rama: Kriminalizim është përbaltja
Debatet në seancën e sotme parlamentare kanë vijuar me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ka folur për kriminalizim të politikës shqiptare.
Duke theksuar se, kriminelët janë të pranishëm në Parlament, Dule ka komentuar edhe qëndrimin e lidershipit të PS ndaj deputetit Ben Blushi. Dule ka akuzuar gjithashtu koalicionin qeverisës se ka shkelur parimet me të cilat përfaqësohej kur ishte në opozitë.
“Një qeveri që erdhi në pushtet me zgjedhje të lira, por dështoi të bënte zgjedhje të lira. Një opozitë që erdhi në pushtet me sloganin e fjalës së lirë, sot po linçon ndaj një politikani. Ju nuk mund të pengoni një politikan të gjykojë ecurinë politike në një vend. Zotërinj deputetë, mos u verboni nga interesat e momentit. Vendi ka nevojë për reforma, jo uzurpime apo alibi”, ka thënë Dule.
Rama: Kriminalizim është përbaltja me fakte të fabrikuara
Duke iu përgjigjur akuzave, kryeministri Edi Rama iu drejtua ish-aleatit të tij duke thënë: “Ti je një mik i mirë dhe përgjithësisht i vëmendshëm. Nuk e kuptova pse ishte i pavëmendshëm ndaj fajlës time ditën që ktheu përmbys atë që unë thash”.
“Unë nuk thash jemi të gjithë bashkëfajtorë, nuk thash jemi të gjithë kriminelë. Dhe unë i pari e thash se jemi kriminelë të trajtuar si të tillë për vite e vite të tëra”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se, “akuzat mbi mua, kryetarin e Kuvendit dhe gjithë që janë këtu janë tregues ulëritës i faktit se problem madhor nuk është dekriminalizimi, por kriminalizimi i kundërshtarit me çdo mjet, çdo kusht e çdo çmim”.
“Kriminalizimi i çdo ideje, i çdo përpjekjeje, i çdo pune. Ky është problemi i madh i yni. Kriminalizimi përmes faktesh të fabrikuara, që shiten si liri, kundërshti apo demokraci”, ka vijuar Rama.
“Ti je i vjetër këtu, je dëshmitar i vjetër i këtij Kuvendi. Ja ku janë ata që dalin të përbaltur në dinjitetin e tyre, në fëmijët e tyre, fisin dhe gjithçka që kanë më të shtrenjtë, njësoj si në kohën e vjetër. Vetëm me një ndryshim, atëherë përfundoje me plumb, ndërsa sot përfundon me baltë”, ka deklaruar Rama.
“Ne bëmë mirë që vendosëm një vijë të kuqe për gjithë ata që marrin një funksion publik apo që hyjnë në shërbimin publik. Dhe ishim unë dhe kryetari i Kuvendit që e propozuam, jo vetëm për ata që zgjidhen, por edhe ata që janë në administratë. E kam përdorur me neveri fjalën dekriminalizim, Shqipëria nuk është xhungël e Brazilit, ky është një parlament ku njerëzit kanë ardhur me anë të suksesit. Nuk të bën kriminel fakti që flet Saliu”, ka shtuar ai, duke i thënë ish-aleatit se, këtë që po bën e ka nga humbja.
Mes tyre kanë vijuar replikat.
Dule: Zgjedhje nuk kam humbur, por nuk mund të fitoj kur kam përballë këtë mekanizëm qeveritar.
Rama: Të ftoj të bëhesh pjesë e Partisë Socialiste. Eja në PS që të na përmirësosh.
Dule: Nuk do të pranoja kurrë të isha pjesë e PS-së që ka katandisur Rama. Jam i destinuar të humbas çdo proces zgjedhor kur përballë kam hajdutrinë.
Rama në Kuvend: Maxhoranca nuk ka person me rekorde kriminale
Kryeministri Edi Rama ka theksuar sërish në Kuvend se në radhët e maxhorancës nuk ka asnjë person me rekorde kriminale, duke iu përgjigjur akuzave të paraardhësit të tij, Sali Berisha.
“Ata ikin sepse në këtë Parlament dhe në anën e majtë të tij nuk ka asnjë person me rekorde kriminale. Ata ikin sepse ligji më ekstrem unikal në planet, i kaluar edhe me bekimin tonë për të ashtuquajturin dekriminalizimin të Parlamentit dhe politikës nuk arrin dot të zbulojë asgjë. Dhe gjithë ajo seancë absurde, 48 orë marrëzi, negociata të mbyllura 6 herë e rihapura 6 herë, për të çuar në ekstrem një formular qesharak ishte shprehja e dëshpërimit për faktin se ata 19 kriminelët që do kapeshin nga ky proces ishin vetëm pjellë e fantazisë së një propagande të shthurur që prodhon çdo ditë fakte të rreme”, tha Rama në seancë.
Madje ai shprehet se të inkriminuar ligjërisht nuk ka as në radhët e të zgjedhurve të qeverisjes vendore. Por sipas tij të inkriminuar politikisht janë të gjithë, duke nisur nga vetë Rama.
“Dhe ashtu siç nuk ka në këtë Parlament persona të inkriminuar nuk ka as në të zgjedhurit e popullit në qeverisjen vendore të inkriminuar ligjërisht. Pastaj persona të inkriminuar politikisht, ne jemi të gjithë këtu. Unë i pari, dhe kryetari i Kuvendit i dyti, kemi kryer të gjitha krimet që fantazia dhe eksperienca e Saliut mund të përmbledhë në sulmet me libër shpie të kundërshtarit”, vijoi Rama.
Rama i quan veprimet e opozitës si një betejë për të kriminalizuar shumicën qeverisëse. “Na nxorrën tani dekusarizimin. Pas dekusarizimit, kur të mos ketë as kusar këtu kushedi se ku do dalin”, vijoi Rama.
Ikën opozita, Berisha: PS, rrezik i madh kombëtar
Deklaratat e një dite më parë e deputetëve të PS-së, se vënë Partinë para Shqipërisë, janë komentuar ashpër nga ish kryeministri Sali Berisha. Madje, ai e ka quajtur PS-në një rrezik të madh kombëtar.
“Çdo diktator, çdo autokrat, aktin e parë që bën, atë nen të Kushtetutës që ma kufizon mua me dy mandate dua ta heq, se dua të jem i përjetshëm. Ju jeni rrezik i madh kombëtar, keni vënë gjithçka në funksion të partisë tuaj. Udhëtoni të gjithë për betejat partiake. Pse për këto e keni parlamentin ju? Ju u nënshtruar në funksion të mafias”, tha Berisha.
menjëherë pas fjalës së deputetit Sali Berisha opozita është larguar nga salla. Ndërsa Erjon Braçe e ka akuzuar PD-në se nuk i ka shërbyer asnjëherë këtij vendi.
“ Së pari, ky njeri që ka marrë dhe rolin e zotit në këtë vend, e bën me qejf, e shpalli PS-në si rrezik kombëtar. Kurrë. Në 25 vite PS nuk e ka vënë në rrezik këtë vend. Nuk ka as një rast të vetëm që kjo parti mos t’i ketë shërbyer këtij vendi dhe këtij kombi. Ka demonstruar në më shumë se një rast që partinë e tij nuk e ka për Shqipërinë”, tha Braçe.
Opozita nuk do të bllokojë Parlamentin, Paloka: Votojmë kërkesat tona
Opozita nuk do të bllokojë parlamentin këtë të enjte, duke marrë pjesë në votimin e amendamenteve që ajo vetë ka propozuar.
“Ne nuk do të bllokojmë këtë Parlament, do të marrim pjesë në votimin e akteve tona, po nuk do të jemi sot në sallë derisa kjo maxchorancë të reflektojë dhe t’i kthejë legjitimitetin kësaj salle dhe këtij Parlamenti”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.
Në seancën e sotme janë pranuar kërkesat e PD-së, një amendament për dekriminalizimin dhe një propozim për rregulloren për komisionet hetimore. Paloka tha se taktika e re e bllokimit nuk është më pengimi i krijimit të komisioneve, por bllokimi përmes kuorumit.
“Kemi përmbysjen totale të marrëveshjes së dhjetorit 2014. Në këto kushte amendamentet tona nuk kanë asnjë synim tjetër veçse rikthimin e legjitimitetit në parlament. Parlamenti duhet të tregojë qartazi që ka vullnetin të zbatojë ligjet që miraton vet, por dhe parimet mbi të cilat ngrihet ky Parlament. Dekriminalizim pa vullnet politik nuk ka”, vijoi më tej Paloka.
Në përgjigje të tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi tha se maxhoranca ka qënë luajale në zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit 2014. “Lidhur me marrëveshje politike ne jemi treguar shumë luajal që në fillim. Jemi treguar shumë seriozë në zbatimin e tyre, prandaj dhe kjo nuk është shkak por është një sebep. Ne nuk jemi këtu as tu bëjmë axhendën politike dhe as të zbatojmë axhendën tuaj. Nuk jemi këtui të ëprcaktojëm kush është kauza juaj”, tha Ruçi.
Top Channel