Batutat e Asamblesë, që u bënë virale në rrjetet sociale, nuk frikësojnë Erion Braçen.
“Se kështu shkoi, unë zgjedh Shqipërinë, por dua partinë. Po zgjodhe Shqipërinë, unë mendoj se kësaj Shqipërie i duhet stabiliteti qeverisës. Vijimi i reformave dhe natyrisht marrja e produktit nga këto reforma. Nuk i duhet karrigia e kërkujt në krye të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, tha Braçe.
I njohur si një replikues i vjetër, ai kundërshtoi të mërkurën propozimin e kryetarit Rama për një referendum socialist, por për arsye krejt tjetër nga Ben Blushi.
“Ne, kryetarin e partisë dhe mandatin e tij e kemi përputhur me fitoren e partisë, pra me fitoren e së drejtës për të qeverisur vendin. Natyrisht e kemi përputhur, në rastin e një humbjeje, me largimin; me faktin e largimit të tij nga drejtimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë”, shton më tej Braçe.
“Me aferat tuaja, zoti Braçe, nuk keni pse bëni konen, ju lutem shumë”, është shprehur Vangjel Dule nga foltorja e Kuvendit.
“Unë, në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë vij për të folur dhe kam folur përpara se ky zotëria të mësonte shqip”, iu kundërpërgjigj Braçe drejtpërdrejt nga Kuvendi.
“Flet Vangjel Dule, që unë nuk e di kur ka bërë ndonjëherë zgjedhje në parti dhe nuk e di kur e ka mbledhur ndonjëherë strukturën drejtuese të partisë së tij. Flet Nard Ndoka, që është përsëri në të njëjtat ujëra. Do të shtohen edhe të tjerë, jam i bindur”, flet më tej Erion Braçe.
Erion Braçe e ka cilësuar humbje të madhe kohe, këtë debat shterpë, kur fokusi – siç ai theksoi – duhet të jetë më i madh tek anëtarët e thjeshtë të Partisë Socialiste. Të paktën në këtë pikë, ndryshe nga referendumi, ai është dakord me kryetarin e partisë.
Top Channel