Argita Berisha reagon për çështjen me Ballën: Kolegji gjyqësor ka kryer shkelje

10/03/2016 00:00

Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjen gjyqësore mes socialistit Taulant Balla, që akuzohej për shpifje, dhe vajzës së ish-kryeministrit Berisha, Argita Berisha, kjo e fundit ka reaguar mbrëmjen e së enjtes – ditë gjatë së cilës edhe u mor vendimi për pafajësinë e Ballës, – duke e quajtur këtë vendim si të paprecedentë dhe të bazuar mbi një akt falsifikimi.

Sipas saj, seanca ishte vendosur të zhvillohej në orën 12:50 të kësaj të enjteje, por në fakt seanca është zhvilluar dy orë më herët nga sa ishte parashikuar, për të shpallur vendimin në favor të Ballës, në një seancë ku vet Argita Berisha ishte e papërfaqësuar. Këtë çështje, vajza e ish-kryeministrit thekson se do ta ndjekë ligjërisht në mënyrën më rigoroze, edhe ndaj kolegjit gjyqësor, që i mban përgjegjës për këtë shkelje ligjore.

Ja reagimi i plotë i Argita Berishës ndaj deklaratës për shtyp të PS-së.

Që kur ka nisur shqyrtimi në Apel i ankesës së Ballës, para gati dy vitesh, janë zhvilluar një maratonë prej 18 seancash, 14 prej të cilave janë shtyrë me kërkesa krejtësisht të pathemelta të Ballës. Kjo ndodhi edhe seancën e kaluar, në të cilën Taulant Balla kërkoi shtyrje; trupi gjykues iu bind kërkesës dhe caktoi seancën e radhës më 10 mars, në orën 12:50.

Sot, në mënyrë krejt të papritur, trupi gjykues u mblodh në orën 10:50 dhe shpalli vendimin. Unë nuk isha e përfaqësuar, pasi njoftimi në sallën e gjyqit ishte dhënë për në orën 12:50.

Për të justifikuar zhvillimin e seancës dy orë më herët se njoftimi, gjyqtari relator Zamir Poda ka futur në dosje një procesverbal me orar të ndryshuar, por ky falsifikim provohet nga sistemi i regjistrimit audio të seancës. Gjyqtari Poda dhe sekretarja pohojnë në mënyrë të përsëritur në këtë regjistrim audio, orarin e seancës së sotme në orën 12:50. Në sfondin audio dëgjohet Taulant Balla që bie dakord me orarin 12:50.

Në seancën e sotme, me orar të manipuluar në 10:50, ka qenë i pranishëm vetëm Taulant Balla.

Balla ka arsye të shqetësohet për shpifjet dhe të bëjë zhurmë për të mbuluar falsifikimet, por e ftoj që të ruajë qetësinë dhe avokati i tij t’i shpjegojë se nuk ka gjykatë që mund ta konsiderojë të vlefshëm vendimin e dhënë sot nga Apeli. Sikundër garantoj që shkeljet e kolegjit gjyqësor do t’i ndjek ligjërisht, në mënyrën më rigoroze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB