Alfano, në Bruksel: Shqipëria, çështje edhe e BE-së. Jo vetëm Italisë

10/03/2016 00:00

“Shqipëria nuk është më vetëm një shqetësim italian”, deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të ministrave të Brendshëm të BE-së, ministri Alfano.

Angelino Alfano, ministri i Brendshëm i Italisë: I kërkova Këshillit, që tema e Shqipërisë të mos jetë veç temë për Italinë. Nuk mund të jemi vetëm ne, që merremi në mënyrë bilaterale me Shqipërinë, kur Shqipëria mund të jetë partner strategjik i BE-së për përballimin e çështjes së rrugës ballkanike.

Më herët, ministri Alfano foli për bisedimet mes tij dhe ministrit Tahiri, sikundër dhe mes kryeministrave Rama e Renzi, për shmangien e emigracionit ilegal përmes Shqipërisë në Itali.

“Edhe unë do të shkoj gjatë ditëve të ardhshme në Shqipëri, për të punuar së bashku, që të bëjmë ç’është e mundur për të parandaluar terrorizmin dhe emigracionin ilegal. Deri tani nuk kemi të dhëna për fluks të jashtëzakonshëm, por me logjikë, nëse do të ketë një devijim të fluksit nga Turqia dhe nëse muret e rrugës Ballkanike do të pengonin udhëtimin deri në veri të Europës, do të mund të hapej ky shteg. Por, këtë sot na e thotë logjika dhe jo faktet. Prandaj, ne po punojmë për të hequr supozimet, që mund të përcaktojnë të tilla gjëra negative”, thotë më tej Alfano.

Megjithë optimizmin e ministrit italian, por jo vetëm, për diskutimet mes 28 vendeve anëtare, Austria konfirmoi se nuk planifikon të heqë kontrollet e përkohshme kufitare, për sa kohë që nuk sigurohet kufiri i jashtëm i BE-së.

Klaas Dijkhoff, Sekretar Shteti për Migracionin, Presidenca holandeze e BE-së: Ne shqtyrtuam edhe negociatat për rojen bregdetare dhe kufitare të BE-së. Na duhet kjo agjenci për të forcuar kufijtë tanë të jashtëm dhe jam i kënaqur me progresin e deritanishëm, si dhe optimist për arritjen e marrëveshjes në prill.

Dimitris Avramopoulos, Komisioner i BE-së për Migracionin e Punët e Brendshme: Paralelisht, ne duhet të garantojmë kanale ligjore e të sigurta për ardhjen në Europë, si dhe t’u presim rrugën trafikantëve, sepse nëse mbyllim derën e pasme të paligjshme, duhet të hapim një dritare të rregullt e të sigurtë.

Këshilli i BE-së miratoi konkluzione kundër trafikut të emigrantëve dhe u pajtua për zgjerimin e kompetencave të EUROPOL-it, për heqjen e pengesave administrative mbi njohjen e dokumenteve të shtetasve europianë nga vendet anëtare, si dhe për draftin e direktivës, që nxit qëndrimin e rregullt të studentëve dhe kërkuesve prej vendeve të treta në Europë, përfshirë dhe të familjarëve të tyre.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel