Socialistët nuk e prishën traditën. Edhe Asambleja Kombëtare e 2016-s në 6 orë mbledhje u dominua nga debate, ngritje zëri dhe batuta. Por, kryesocialisti Edi Rama që erdhi i fundit në asamble dhe foli i pari, e kishte gati përgjigjen për kundështarin Ben Blushi dhe mbështetësit e tij, duke surprizuar jo vetëm ata, por të gjithë asamblenë.
Shkojmë në referendum dhe ta vendosin socialistët çështjen e mandatit tim, as ju, as unë, as ne, por socialistët dhe socialistet në të gjithë Shqipërinë me votë të lirë dhe të fshehtë, në përgjigje të pyetjes nëse mandati im duhet të ndërpritet dhe të shkojmë tek ata për të zgjedhur kryetarin me një anëtar, një votë, apo mandati im rinovohet automatikisht në bazë të modelit të ri statutor sipas modelit laburist”, tha Rama.
Rama i parapriu këtij propozimi me një “mea culpa”: “Është fakt që kjo puna e mbarë duhet të kishte nisur më parë, ashtu siç është fakt që dy vjet e gjysmë më parë duhet të ishte trajtuar edhe çështja e rinovimit të mandatit tim, si edhe në këta dy vjet e gjysmë kjo asamble dhe kryesia e partisë duhet të ishin mbledhur rregullisht. Unë jam përgjegjësi kryesor”.
Dhe arsyeja: “Se nuk kam qenë i aftë të gjej qysh në fillim të rrugës tonë të re, pas zgjedhjeve, vëmendjen, energjitë, kohën e nevojshme për ta bërë dhe këtë detyrë, detyrën e punëve të brendshme të partisë, me të njëjtin angazhim dhe besoj efektshmëri që kam bërë detyrën e kryeministrit. Sepse kjo e dyta më pushtoi me pahir, tërësisht, të gjithë ekzistencën time, në kushtet shumë të rënda që mora dhe morëm detyrën për të qeverisur vendin”.
Në fjalën prej më shumë se 58 minutash, Rama në asnjë rast nuk përmendi emrin e Ben Blushit, por…
“Gënjeshtrat e Saliut, dalin e teprojnë, nuk mund t’ia përsërisim ne njëri tjetrit. Aq më pak s’mund ti përsërisim përpara opinionit publik”, tha Rama.
Referendumi është refuzuar në bllok nga Blushi dhe mbështetësit e tij, por edhe nga Taulant Balla, Erjon Braçe dhe Bashkim Fino, të cilët janë shprehur se “nuk duhet të shkojmë në referendum për kapriço të një njeriu”. Megjithatë, për projekt-statutin e ri sipas modelit laburist, amendamentet e depozituara nga Ben Blushi përfshi referendumin e parë të këtij lloji në Shqipëri asambleja vendosi që fjalën e fundit ta thotë kongresi i 19 marsit.
Thënia e ditës
Kur qeveris e djathta njerëzit thonë “ka dhe më keq”; kur qeveris e majta, njerëzit thonë “ka dhe më mirë”.
Top Channel