Opozita reagon për komisionin ad-hoc: Jo nga kjo qeveri

09/03/2016 15:30

Udhëheqësi i AAK-së, Ramush Haradinaj zbulon qëndrimin e partisë së tij ndaj ngritjes së komisionit “ad-hoc” për rishikimin  e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në një status në Facebook, Haradinaj ka reaguar për komisionin me ekspertë të huaj duke thënë se, ai do të jetë i pranueshëm vetëm nëse është krejtësisht i pavarur dhe nëse mbikëqyrjen e punës së tij do ta bëjë një qeveri e dalë nga zgjedhjet e reja.

Për Haradinajn, qeveria aktuale nuk ka legjitimitet për demarkacion të besueshëm, pasi është shkaktare e problemit dhe nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes së tij.

Edhe për forcën tjetër opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje, komisioni shtetëror që është marrë me demarkacionin duhet të shkarkohet, pasi ata – sipas VV, – kanë lënë jashtë 8 mijë hektarë tokë, ndërsa 100 mijë janë të padokumentuara në kadastër.

Komisioni i ekspertëve të huaj, që do të rishikojë dokumentacionin e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, pritet të finalizohet të hënën, kur Presidentja Atifete Jahjaga do të firmosë emërimin e 3 ekspertëve ndërkombëtarë.

Top Channel