Gjykata e Apelit, në favor të shoqatës: Njihet firma e të verbërve

09/03/2016 15:15

Një vendim i Gjykatës së Apelit i ka dhënë të drejtë shoqatës së të verbërve që të kundërshtojë ligjin 93 të vitit 2014, “Për aksesin dhe përfshirjen shoqërore”.

Ligji, siç pretendon shoqata e të verbërve, u cënon atyre vendimarrjen apo firmosjen e dokumenteve ligjore. Ngjarjet rodhën në këtë pikë, pasi gjykata e Tiranës nuk pranoi kërkesën e Sinan Tafajt, kreut të shoqatës së të verbërve, për të bërë një padi, ndaj Erjon Veliajt, në atë kohë Ministër i Mirëqënies Sociale, me arsyetimin se Tafaj nuk mund të firmosë personalisht dokumente si një person i verbër. Kjo u hodh poshtë nga Apeli në Tiranë, gjë të cilën Tafaj e cilësoi historike.

“Kodi civil, i procedurës civile, Konventa e Kombeve të Bashkuara dhe Kushtetuta na mbron ne. Ndryshe nga ligji 93 i 24 korrikut të 2014, i cili ka njohur të drejtën të tjerëve të marrin vendime për ne”, tha Sinan Tafaj.

Vendimi i Apelit në Tiranë, i hap kështu, rrugë procesit gjyqësor për padinë e ngritur nga kreu i shoqatës së të verbërve Tafaj ndaj Erjon Veliajt për shpifje. Ligji për aksesueshmërinë, të cilin jo vetëm të verbërit por edhe shoqatat e tjera të PAK duan ta shfuqizojnë, është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.  

Top Channel