Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar këtë të mërkurë me banorët e fshatrave Lapardha, Velabisht dhe Urës Vajgurore.
Në të tre takimet, banorët dhe tregtarët e këtyre zonave u ankuan për mungesën e xhiros në bizneset e tyre, papunësinë dhe varfërinë që sipas tyre, sa vjen e rritet.
Nga ana e tij, zot Basha u shpreh se, Shqipëria sot është i vetmi vend në Europë, ku populli varfërohet dhe qeveria pasurohet.
“Mijëra familje kanë preokupimin kryesor se si ta mbyllin ditën, sepse lekët janë në duart e një grushti njerëzish, të cilët i kanë bërë ato pallate, saraje, vila, pishina e llogari bankare. Sot, ky është i vetmi vend në Europë ku populli varfërohet dhe qeveria pasurohet”, tha Basha.
Në vijim të takimeve të tij, kryetari i PD u njoh edhe me shqetësimet e banorëve për rënien e investimeve dhe rritjen e taksave. Në përgjigjen e tij, Basha nënvizoi se, në këto dy vite e gjysmë qeverisje të majtë shqiptarëve u janë vjedhur 400 euro për frymë dhe 1.2 miliard euro të tjerë janë marrë borxh, pa bërë asnjë investim.
“Vendin në këtë situatë e ka katandisur keqqeverisja, mosqeverisja, qeverisja me krimin dhe korrupsioni në qeverisje. Vetëm vitin e kaluar shqiptarëve iu kanë vjedhur 1.2 miliardë euro dhe 400 euro për frymë. Ndërkohë, 1.2 miliard të tjera i kanë marrë borxh këto dy vite e gjysmë, nga të cilat ju nuk keni parë asgjë”, u tha Basha banorëve.
Duke kujtuar premtimet e pambajtura të qeverisë kur ishte në opozitë, si shëndetësia falas apo 300 mijë vendet e punës, Basha shtoi se, “kjo është një qeverisje që ka ardhur vetëm për të plaçkitur”.
“Plaçkitja nuk është reformë. Plaçkitjes dem baba dem ne i themi vjedhje”, u shpreh Basha.
Top Channel