Sharap-“over” se përdori doping, çfarë rrezikon rusja?

08/03/2016 00:00

Tenistja ruse Maria Sharapova surprizoi të gjithë tifozët e saj me përdorimin e dopingut, diçka që njollosi thuajse gjithçka të bukur që rusja simpatike nisi që në debutimin fantastik mes profesionistëve.

Por, çfarë rrezikon në të vërtetë modelja siberiane që tashmë është braktisur edhe nga milionat e sposnsorëve si “Nike”, “Tag Heuer”, dhe çfarë është meldonium, substanca inkriminuese e përdorur.

Maria Sharapova ishte projektuar në delegacionin rus të Lojërave Olimpike në Rio de Zhaneiro, por rrezikon seriozisht që të mos jetë në evenimentin latin. Presidenti i Federatës Ruse të Tenisit është i bindur që sportistja do të jetë në Rio, duke i faturuar dopingun fizioterapistëve dhe mjekëve.

Sharapova ka pranuar se përdorte meldonium që prej vitit 2006. Kjo është një substancë për të trajtuar mungesën e gjakut në një pjesë të trupit, prodhohet në Letoni dhe që prej janarit të këtij viti, konsiderohet e ndaluar. Por, nuk dihet se si do të analizohet rasti i Marias që e përdor në kohë të hershme, ndërsa pranimi i fajit i bëri të panevojshme kundëranalizat.

Skualifikimi maksimal është dy vjet dhe tenistja ruse pas dënimit, mund ti drejtohet arbitrazhit. Në rastin më të mirë dënimi është 3 muaj, por nëse është më shumë, Rio de Zhaneiro do të jetë një mirazh për bukuroshen e dopuar, Maria Sharapova.

Top Channel