Rritet dhuna ndaj grave; çdo ditë 2 urdhra mbrojtjeje vetëm në Tiranë

08/03/2016 00:00

Gjykata e Tiranës lëshon minimalisht dy urdhra mbrojtjeje në ditë ndaj grave të dhunuara, me një total vjetor prej 644 urdhrash mbrojtjeje.

Kjo shifër është mjaft e lartë duke patur parasysh numrin e popullatës që jeton në vendin tonë, por që fatkeqësisht kjo shifër është akoma më madhe, pasi një pjesë e konsiderueshme e rasteve të dhunes ndaj grave nuk raportohen apo denoncohen.

Megjithëse gjykata ka lëshuar thuajse në 100 përqind të kërkesave urdhrin e mbrojtjes, sërish ka shumë raste që nuk denoncohen. Sipas të dhënave të Gjykatës së Tiranës, grupmosha e grave që kanë kërkuar urdhrin e mbrojtes janë të grupmoshës nga 20-45 vjeçe, shumica me arsim minimal dhe pa asnjë profesion.

Ndërkohë që flitet shumë si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga shoqatat e ndryshme për nisma dhe aktivitete kundër dhunës ndaj grave, fatkeqësisht faktet janë kokëforta dhe konfirmojnë nevojën e politikave apo masave të tjera për parandalimin e këtij fenomeni.

Top Channel