Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, theksoi të martën paradite se “do ta miratojmë sa më shpejt paketën kushtetuese për reformën në drejtësi”.
“Vullneti i qytetarëve është që të shkundet sistemi i drejtësisë përmes një reforme të thellë. Do ta miratojmë sa më shpejt paketën kushtetuese për të. Duhet më shumë vullnet për të qenë më racional dhe për të bërë një interpretim më objektiv. Kemi ende kohë dhe besoj se vullneti është i plotë për të përmbushur me sukses këtë reformë”, tha Meta.
Në lidhje me 11 çështjet që paraqiti Partia Demokratike, Meta u shpreh: “Nuk kemi të bëjmë me 11 kushte, sipas meje. Kemi të bëjmë me çështje që PD-ja synon që të zgjidhen sipas këndvështrimit të saj. Me më shumë durim, është e mundur që reforma të përmbyllet, pasi për çdo çështje ka rekomandim nga Komisioni i Venecias. Të gjithë ata që e prisnin përfundimin e reformës dje, janë zhgënjyer, por dje ishte vetëm mbledhja e parë e komisionit të reformës në drejtësi. Për 90% të paketës ka dakordësim, kanë mbetur vetëm disa çështje që kanë nevojë për vlerësim dhe interpretim objektiv dhe funksional”.
Top Channel