
E kanë përshkruar shpeshherë si një paragjykues të ashpër, që idenë për femrën e ka pak a shumë të përcaktuar. Dhe gafat e tij me sfond gjinor kanë bërë xhiron e botës.
Për këtë arsye, urimet e përzemërta të Vladimir Putinit, drejtuar të gjitha qytetareve ruse në ditën e 8 Marsit, tingëlluan disi të tepruara. Gratë, – tha shefi i Kremlinit në mesazhin video të transmetuar nga “Russia Today”, – janë ato që na japin jetën dhe pikërisht te gruaja, te dinjiteti dhe mirësia e saj mishërohet shpirti i vërtetë rus.
Por kush e harron batutën e tij për Hillary Clintonin në 2014-n? Më mirë të mos diskutosh me femrat, pati thënë asokohe. Dobësia, në fund të fundit, nuk është cilësia e tyre më e keqe, do të ishte shuplaka e tij për ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, që i krahasoi veprimet ruse në Krime me ato të nazistëve.
Po atë vit, gjatë Lojërave Olimpike të Socchit, një vullnetare i drejtohet duke i thënë se, fakti që po e takonte personalisht ishte për të një ëndërr e bërë realitet. “Hajt se ta jap një të pickuar më vonë”, ishte përgjigjja e Putinit.
Është dhe demonstrata e Femenit, kur aktivistet femra protestuan në Hannover gjysmë të zhveshura. Ai rast e zbaviti pa masë. “Më pëlqeu shumë, – ishte batuta e tij. – Nuk e di fare për çfarë bërtisnin, e nuk pashë as çfarë ngjyre i kishin flokët”.
Për të mos folur pastaj për deklaratat e 2006-s, kur për akuzat e rënda të ngritura nga disa femra ndaj ish-Presidentit izraelit Moshe Katsav, pati këtë koment: “Çfarë burri i fuqishëm, përdhunoi 10 gra, e kemi zili të gjithë!”.
Top Channel