Është “e marta e vogël” në garën për nominimet për Shtëpinë e Bardhë, një test i ri për Donald Trump dhe Hillary Clinton pas “së martës së madhe” të javës së kaluar, kur u votua në 11 shtete njëherësh.
Të dy rivalët vazhdojnë të konsiderohen si favoritë, përkatësisht në kampin republikan dhe atë demokrat. Në sondazhin e fundit të Washington Post-ABC News ata vazhdojnë të udhëheqin në nivel kombëtar, por kanë humbur terren nga ata që vijnë pas tyre, senatori i Teksasit, Ted Cruz dhe atij të Vermontit, Bernie Sanders.
Do të jetë votimi i parë pa spektrin e një kandidature të pavarur, që ishte Michael Bloomberg, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut, që një ditë më parë njoftoi tërheqjen nga gara, duke sulmuar ashpër Trump dhe Cruz dhe duke e cilësuar fushatën “një fyerje ndaj votuesve”.
Ndërkohë, rezulton se është zhvilluar një takim sekret mes drejtuesve të Google, Apple dhe Tesla për të ndalur Trump. Silicon Valley prej kohësh është kthyer në një pushtet të fuqishëm, në gjendje të influencojë në vendimet e Uashingtonit.
Sipas versionit amerikan të “Huffington Post”, administratori i deleguar i Apple, Tim Cook është takuar fshehurazi me themeluesin e Google, Larry Page dhe administratorin e Tesla dhe Spacex, Elon Musk për të zbatuar një strategji për të ndalur vrapin e Trump drejt nominimit të Partisë Republikane.
Të tre ata janë takuar në një lokalitet bregdetar në Xhorxhia, ku kanë qenë të pranishëm edhe eksponentë të lartë të republikanëve.
Top Channel