Loja e Turqisë me BE-në

08/03/2016 12:30

Lojën në Bruksel të hënën e drejtoi Turqia, vendi që e kërkon aderimin prej dy dekadash, por që blloku ka dashur ta mbajë në distancë. Duke përcjellë qëndrimin e një kombi të lodhur nga pritja, shkurtin e vitit 2013, gjatë një vizite në Europën qendrore, Rexhep Tajip Erdoan deklaroi se anëtarësimi nuk është i domosdoshëm.

Kemi që në vitin 1963 që bëjmë durim, tha ai duke folur asokohe në pozitat e kryeministrit, por ata vazhdojnë ta zvarrisin këtë proces.

“Nuk aplikojnë të njëjtat procedura dhe për vende të tjera. Kjo është mungesë respekti”, thonte Erdoani.

Sot, situata ka ndryshuar rrënjësisht dhe është Bashkimi Europian ai që i ka nevojën Ankarasë. Nuk është aspak për t’u çuditur që në Bruksel zyrtarët e lartë turq do të përfitonin nga kriza që po tmerron bllokun për të vënë kushtet e vëna.

Së pari, ndihmat miliarda euroshe. Pastaj, ripërtëritjen e bisedimeve të anëtarësimit, ku kritikët sërish nuk mungojnë e për argument të fortë mes të tjerash kanë shtypjen që i bën regjimi i Erdoanit fjalës së lirë dhe disidentëve. Nevoja e dëshpëruar e Europës për ndihmën e Ankarasë e ka vendosur atë në një pozicion tepër të favorshëm për negociata. Dhe se çfarë ishte realisht në tryezë, këtë e bëri të qartë Osman Sert, zëdhënësi i kreut të ekzekutivit Ahmet Davutoglu.

Ne nuk jemi këtu vetëm që të flasim për emigrantët, tha ai të hënën, ne na intereson anëtarësimi dhe kjo është çështja kyçe në diskutim. Premtimi turk për të frenuar fluksin e emigrantëve e për të pranuar ata që blloku do të kthejë mbrapsht, erdhi me një çmim: BE-ja ia pranoi dyfishimin e ndihmës 3 miliardë euroshe të premtuar fillimisht, ndërsa Turqia kishte hedhur në tryezë pretendimin e 20 miliardë eurove si dhe atë të liberalizimit të vizave për qytetarët e saj.

Top Channel