KF Tirana, përplasje bashki-klub. Tifozët kundër situatës

08/03/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka reaguar gjatë ditës së martë në lidhje me situatën e financiare në klubin e futbollit të Tiranës. Me anë të një deklarate, bashkia kërkon të sqarojë opinionin publik, por edhe të gjithë tifozët, se klubi funksionon si një ndërmarrje aksionare dhe bashkia është në minorancë, duke qenë se zotëron vetëm 34% të aksioneve të klubit.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se kryetari i bashkisë, Veliaj ka kërkuar mbledhjen sa më parë të asamblesë së klubit për të marrë vendimet e nevojshme lidhur me situatën aktuale financiare.

“Gjatë kësaj kohe, klubi “Tirana” ka marrë në përdorim nga Bashkia e Tiranës edhe një grup asetesh si: Stadiumi “Selman Stërmasi” dhe stadiumi “Skënder Halili”, të cilët respektivisht janë të pajisur me nga një terren sportiv dhe fusha trajnim. Megjithatë, prej disa javësh, kryetari i Bashkisë së Tiranës u ka kërkuar shumicës së aksionerëve të sport klubit “Tirana”, të cilët përfaqësohen nga administratori, z. Refik Halili, që të zhvillojnë sa më shpejt mbledhjen e asamblesë së klubit për të marrë vendimet e nevojshme lidhur me situatën aktuale financiare, si pasojë e një drejtimi jo të mirë menaxherial”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga bashkia.

Për situatën financiare të klubit të Tiranës ka folur edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj në një emision në News24, i cili ka thënë se paratë e taksapaguesve të Tiranës nuk duhet të shpërdorohen për lojtarë që nuk i meritojnë pagat që marri.

“Kur dëgjoj gjëra të natyrës: Na duhen 130 mijë euro për një lojtar që ka luajtur vetëm 7 minuta në Shqipëri, sigurisht që paratë e taksapaguesve të Tiranës, nuk mund t’i administroj shkel e shko. 130 mijë euro për 7 minuta, besoj as Ronaldo nuk i kërkon! Ajo që kam kërkuar e premtuar si kryetar bashkie është që t’i ndihmojmë të gjitha ekipet”.

Ndërkohë, për ecurinë e deri tanishme në këtë sezon të bardhebluve ka reaguar edhe tifo grupi “Tirona Fanatics” me anë të një postimi në “Facebook” ata kërkojnë që tifozët të mos futen në stadium në ndeshjen ndaj Flamurtarit.

“I bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të tifogrupit, tifozëve, dashamirësve të Tironës dhe legjendave të SportKlubit ndër vite që e ndiejnë se kjo e sotshmja nuk është TIRONA e tyre, të mos hyjnë në stadium në ndeshjen ndaj Flamurtarit”, shkruajnë në Facebook “Tirona Fanatics”.

Top Channel