Fier, prokuroria kërkon tjetër masë sigurie për Fatmir Kajollin

08/03/2016 16:55

Prokuroria e Fierit njofton se ka kërkuar një tjetër masë sigurie për shtetasin Fatmir Kajolli, me “arrest me burg”.

Kjo masë është dhënë sepse ndaj tij do nisë një proces për të njohur dënimin e dhënë ndaj tij në Itali me 22 vite burg, nën akuzën e trafikut të drogës.

Kajolli, ish-këshilltar bashkiak i Partisë Republikane në Bashkinë e Fierit, ndodhet aktualisht në burg.

Ndaj tij nisën disa procese gjyqësore, që nga akuza për rrahjen e një komisioneri, deri tek ajo për pastrim parash. Shumë prona e toka në emrin e tij dhe të bashkëshortes janë sekuestruar nga ana e prokurorisë.

Ndërkohë, më herët Kajolli ishte arrestuar pas kërkesës për ekstradim nga Italia. Shteti italian kërkonte ekstradimin e tij për shkak se ndaj tij ishin dhënë dy dënime me burgim.

Pasi Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë kërkesë, burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thonë se do hapet një proces gjyqësor për të njohur dënimin e marrë në Itali. Pas kësaj Kajolli do të vuajë në Shqipëri plot 22 vite burg.

Top Channel