Basha me gratë e Beratit: Rama, sjellje kriminale ndaj jush

08/03/2016 20:35

Gjatë qëndrimit në Berat, kryetari i PD, Lulzim Basha është takuar edhe me gratë e këtij qyteti, me rastin e 8 Marsit. Edhe në këtë takim, fjalimi i tij ka pasur në qendër akuzat ndaj kryeministrit, i cili sipas tij është në borxh ndaj grave shqiptare.

“Për mua fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen e madhe ndaj nënave e grave shqiptare. Unë e di që ditët janë shumë të vështira për çdo grua. Edi Rama jo vetëm po qeveris në mënyrë kriminale vendin, por dhjetëfish më kriminale është sjellja e tij ndaj grave të këtij vendi, të cilat i ka pushuar masivisht nga puna në mënyrë të kundërligjshme”, tha Basha.

Kreu i PD iu drejtua grave të Beratit duke thënë se vendimet e marra nga qeveria ua kanë vështirësuar jetën grave shqiptare. Ai shtoi se PD kur të vijë në pushtet do të shfuqizojë çdo masë antigrua të qeverisë Rama në këto 3 vite.

“Dua ti them sot nga Berati se të gjitha vendimet që ka marrë qeveria e tij në këto 3 vite, që ua ka vështirësuar jetën grave shqiptare, që i kanë shtyrë disa prej tyre drejt masave ekstreme deri në vetëflijim për shkak të pushimit arbitrar nga puna, për shkak të transferimeve që e bën të pamundur vazhdimin e kontratës së punësimit, për shkak të faturave të papërballueshme të  energjisë, do të jenë në shënjestrën ë qeverisjes së demokratëve dhe ne një nga një do të anulojmë e shfuqizojmë çdo masë antigrua të qeverisë Rama në këto 3 vite”, tha kreu i PD.

Ai e përfundoi fjalën e tij duke thënë se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që kjo e keqe të mos zgjasë asnjë minutë më shumë. “Për këtë na duhet të çohemi në këmbë. 8 Marsi është ditë vendosmërie, qartësie për tu nisur e për to mos u kthyer pa korrur fitoren që e meritoni ju gratë shqiptare dhe shqiptarët e ndershëm anembanë”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA