8 Marsi, Vokshi me gratë dhe vajzat e Kukësit: Qeveria ju ka braktisur

08/03/2016 17:25

Kryetarja e LDGSH, deputetja Albana Vokshi bisedoi këtë të martë me një grup grash dhe vajzash kuksiane me rastin e 8 Marsit.

Në fjalën e saj, Vokshi tha se gjendej në Kukës pasi kjo zonë ka, sipas saj, shifrat më të larta të varfërisë të papunësisë tek gratë në vend.

“8 Marsi është një ditë kur ndërkombëtarisht protestohet për të drejtat e grave. Ndaj jemi këtu sot për të folur për problematikat, që në qarkun e Kukësit nuk janë të pakëta, sidomos për gratë. Zgjodhëm Kukësin sepse Edi Rama e ka lënë qëllimisht qarkun më të varfër në vend. Pjesa dërrmuese e grave kuksiane kanë problematika që i kemi njohur edhe në fushatë, që nga mungesa e dritave dhe ujit, deri tek mungesa e të ardhurave për të blerë ilaçe”, deklaroi Vokshi.

Ajo nënvizoi se, bashkë me kryetarin e Bashkisë Kukës do të lobojë tek donatorët dhe tek të gjitha ministritë, që të sjellin projekte të fokusuara tek punësimi i grave, si dhe tek përmirësimi i kushteve sociale e ekonomike të tyre.

Sipas një njoftimi për shtyp të PD, gratë e pranishme në këtë event ngritën shqetësimin për largimet nga puna në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe për diskriminimin në shoqëri.

Vokshi tha se largimet nga puna dhe diskriminimin e grave e ka ngritur fuqishëm si çështje në Parlament, së bashku me gratë e tjera deputete të opozitës.

Top Channel