Të pakënaqur me PS; Idrizi kërkon një ministër. Milo: Nuk na duan

07/03/2016 19:45

PDIU nuk është e kënaqur me funksionimin e deritanishëm të koalicionit me Partinë Socialiste.

“Ne nuk kemi akoma sot, përveç marrëveshjes kur hymë në zgjedhjet e pushtetit lokal, një marrëveshje të shkruar me mazhorancën e sotme. Ne kemi dizenjuar linjat e përgjithshme dhe po mendojmë dhe shpresojmë që kjo mazhorancë të jetë korrekte në këtë pikë”, deklaron kryetari Shpëtim Idrizi.

Duke iu referuar peshës në Kuvendin e Shqipërisë, zoti Idrizi rithekson se PDIU duhet të përfaqësohet me një post ministror.

“Pesha jonë specifike, numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, qartësisht forca e katërt politike, kjo e parë në disa zgjedhje, e bëjnë të natyrshme që me grup parlamentar ne, në rast të kompozimit të qeverisë, të përfaqësohemi me një ministër. Sepse pesha jonë specifike është e tillë, por edhe kapacitetet që ne kemi e mundësojnë këtë gjë”, thotë Idrizi.

Zoti Idrizi thekson se pavarësisht gjithçkaje, PDIU do të ruajë identitetin e saj në lidhje me çështje të caktuara ai ajo e lustracionit, dekoratat, çështja kombëtare ku përfshihet edhe ajo çame, apo kundërshtia për varrezat greke. Por jo vetëm PDIU ka pakënaqësitë e saj. Edhe një aleat tjetër tradicional.

“Mungesa e respektit dëshmon që nuk na duan dhe përsa kohë që nuk na duan, dhe kjo është një përshtypje jo vetëm e jona por edhe e opinionit publik, atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër veç se të mendojmë se ç’duhet bërë”, thotë Paskal Milo, kryetar i PDS.

Po çfarë do të bëjë në këtë situatë PDS-ja?

“Por, patjetër që pas kongresit të Partisë Socialiste, ne do të mblidhemi, do të gjykojmë dhe do të vendosim”, nënvizon Milo.

Top Channel