Një sulm me avion të telekomanduar të aviacionit të Shteteve të Bashkuara ka vrarë mbi 150 militantë të grupit Al Shabab në Somali.
Zëdhënësi i Pentagonit, kapiteni Jeff Davis deklaroi se sulmi kishte në shënjestër një kamp të militantëve kur përgatiteshin sulme terroriste në shkallë të gjerë.
“Ne e dinim që ata do të largoheshin nga kampi dhe do të përbënin një kërcënim serioz për Shtetet e Bashkuara dhe Unionin Afrikan”, deklaroi Davis.
Ai nënvizoi se të dhënat fillestare sugjerojnë se mbi 150 terroristë janë eliminuar nga ky sulm, i kryer të shtunën rreth 195 kilometra në veri të kryeqytetit Mogadishu.
“Kampi ishte mbajtur nën përgjim për shumë kohë dhe kishim të dhëna se faza operacionale ishte pranë ekzekutimit”, tha Davis.
Al Shabab, një grup i anëtarësuar pranë Al Kaedës, u dëbua nga Mogadishu nga forcat paqeruajtëse të Unionit Afrikan në vitin 2011, por ka vazhduar të kryejë sulme të vazhdueshme me qëllim rrëzimin e qeverisë së mbështetur nga Perëndimi.
Top Channel