Los Angeles Lakers shkakton befasinë e madhe në ndeshjet e radhës në NBA. Skuadra kaliforniane mposhti në “Staples Center” Golden State Warriors me rezultatin 112-95, në një ndeshje ku kampionët në fuqi u shfaqën të shpërfytyruar.
Veteranit Kobe Bryant nuk iu desh të lodhej shumë për të ndimuar Lakers të fitonte ndeshjen dhe e mbylli atë me 12 pikë, madje në periodën e fundit ai qëndroi në pankinë. Në krahun tjetër, Stephen Curry, i cili shënoi vetëm 18 pikë, u shfaq larg formës së tij të zakonshme, ku spikasin statistikat shumë të dobëta në gjuajtjet për 3 pikë, 1 tentativë e saktë nga 10 të kryera.
Los Angeles Lakers ishte gjatë gjithë kohës në kryesimin e ndeshjes, të cilën e fituan me meritë të plotë. Për kalifornianët ky ishte suksesi i 13 në këtë sezon, ndërsa Golden State që i ka mbyllur tashmë llogaritë me kualifikimin për në fazën e “playoff”-it kjo ishte disfata e 6 në 61 ndeshje të luajtura deri tani.
“Morëm atë që meritonim. Kur topi nuk hyn në kosh, atëherë për të fituar ndeshjet duhet të shpenzojmë energji, të luajmë me intesitet dhe të bëjmë një mbrojtje të mirë dhe ne në këtë përballje me Lakers nuk shfaqëm asnjë nga këto cilësi”, ishin fjalët e trajnerit Steve Kerr në përfundim të ndeshjes.
Në ndeshjet e tjera të NBA, Denver Nuggets mposhti Dallas Mavericks 116-114, Oklahoma City Thunder fitoi ndaj Milwaukee Bucks 104-96, ndërsa Toronto Raptors iu dorëzua Houston Rockets në “Air Canada Center”, teksa u mund 107-113.
Top Channel