Kur Italia ishte “Amerika” e shqiptarëve

07/03/2016 00:00

Në një fotoreportazh, “La Repubblica” e Italisë ka risjellë në vëmendje një histori të ngjashme me atë të krizës aktuale të refugjatëve, më e rënda e Europës që prej Luftës së Dytë Botërore.

Përpara mbytjeve të shumta në Mesdhe dhe mijëra fotografive të njerëzve të dëshpëruar që po dynden drejt Europës në kërkim të shpresës, fotoalbumi i publikuar në të përditshmen italiane kujton ngjarjen e 6-7 marsit të vitit 1991, plot 25 vite më parë, kur në Brindizi zbarkuan rreth 27 mijë refugjatë.

Refugjatë, të cilët ia mbathnin nga një regjim që sapo ishte rrëzuar. Largoheshin nga një Shqipëri në prag të kolapsit ekonomik, në atë që shënoi ndër të parat përmbysje në Europë pas rënies së Murit të Berlinit.

Shqiptarët në atë kohë kërkonin në krahun tjetër të Adriatikut një vend të papërgatitur për të menaxhuar një eksot të atyre përmasave. Ishte një emergjencë humanitare pa precedentë: në portin e qytetit puljez mbërrinin dhjetëra varka të vogla dhe anije të mëdha të mbushur me fëmijë, gra dhe burra. Për shumë prej tyre, Italia përfaqësonte një “Tokë të premtuar”, ëndrrën e një kombi të pasur dhe të begatë, të sugjeruar nga filma të ndryshëm, që kishin krijuar përtej detit Adriatik shpresën për një të nesërme më të mirë.

Një dramë e treguar edhe në ekranin e madh, nga një film i Gianni Amelios në vitin 1994, të titulluar jo rastësisht “L’America”.

Pritja dhe solidariteti i treguar nga njerëz të zakonshëm dhe bota e vullnetarëve ishte e jashtëzakonshme. Një sforco, një përpjekje që pa mobilizimin e të gjithëve pa përjashtim. Në një distancë prej 25 vitesh tashmë, shumë prej refugjatëve të atëhershëm janë integruar tërësisht në strukturën shoqërore dhe profesionale të Italisë.

Në gusht të vitit 2001, një tjetër valë zbarkimesh hodhi në Itali rreth 20 mijë të tjerë të dëshpëruar në kërkim të një të nesërmeje më të mirë, duke përmbysur kështu imazhin e një vendi të konsideruar historikisht tokë “emigrantësh” (eksportues), tashmë në një vend që për herë të parë në ato vite u quajt tokë “imigrantësh” (importues).

FOTO GALERI
4/5

Top Channel