“Drejtësia” pa marrëveshje. PD, 11 vërejtje mbi kornizën e draftit

07/03/2016 00:00

“Kush është pro-‘Venecias’ tani këtu?”, kjo është pyetja më e vështirë për t’i dhënë përgjigje. Demokratët e komplikuan edhe më shumë përgjigjen kur paraqiten një dokument me 11 çështje, për të cilat thonë se duhet zgjidhje politike nëpërmjet dialogut politik.

Eduard Halimi, nënkryetar i Komisionit për Drejtësi, PD: Nëse doni “Venecian” referojuni shtatë herë çështjeve që ngre Komisioni i Venecias për dialog politik. Nëse thoni nuk na duhet dialog politik se ne do të ecim vetëm, atëherë jeni kundër Komisionit të Venecias, kjo është e qartë e fare.
 
Pandeli Majko, deputet i PS: Na sillni një dokument tjetër me dhjetë “nuk” që rrëzoni gjithë strukturën e reformës. Këto dhjetë “nuk” të cilat në fakt janë ekspertizë teknike, por që të gjitha së bashku përbëjnë një problem politik. Me këtë problem politik që na keni ardhur sot, ju thoni reformë drejtësie nuk ka.

Arben Ristani, deputet i PD: Vërtet janë dhjetë “nuk”-e, por ju s’keni pse na vini përballë një “nuk” të madh, “nuk i pranoni”, “nuk i diskutoni”.

Fatmir Xhafaj i socialistëve i përmbledh shumicën e pikave të demokratëve tek një çështje, se me çfarë shumice do të funksionojnë disa institucione të reja të drejtësisë.

“Gjashtë janë institucionet për të cilat flitet politikisht për formatimin, por është një çështje çfarë formule ose çfarë shumice do përdoret, është vetëm një, s’ka të dytë, çështjet e tjera janë të gjitha çështje teknike”, u shpreh Xhafaj.
 
Por, megjithëse morën gjithë vëmendjen, 11 çështjet e demokratëve nuk janë të vetmet që u paraqiten. Lëvizja Socialiste për Integrim kishte të paktën 5 çështje të tjera për të cilat kërkoi dialog dhe konsensus politik.

“Këtu çështja është që flamuri i reformës në drejtësi që është ngulur në malin e Dajtit, o do të vejmë të tërë bashkë, ose s’do vejë asnjë”, tha Braho.

Pas tre ore debatesh, rezultati ishte zero. Malin e reformës nuk e ngjiti askush dhe amendamentet kushtetuese mbeten në udhëkryq.
 
Qëndrimi i Partisë Demokratike mbi reformën në drejtësi

1. Nuk jemi dakord me ekzistencën dhe funksionin e Këshillit për Emërimet në drejtësi.
2. Nuk jemi dakord me skemën institucionale të propozuar dhe procesin emërimit të funksionarëve të sistemit të drejtësisë
3. Nuk jemi dakord:
a. me ekzistencën e Gjykatës së Lartë Administrative (2 Gjykatave të Larta), si dhe
b. me prurjen jashtë sistemit gjyqësor në Gjykatën e Lartë.
4. Kërkojmë fuqizimin e hetimit penal nga Prokuroria dhe ngritjen e strukturave hetimore (BKH) vetëm nën varësinë e Prokurorisë. Jemi kundër krijimit të strukturave paralele. Të saktësohet modeli i ndjekjes penale.
5. Nuk jemi dakord me ndërprerjen e mandateve të organeve kushtetuese ekzistuese.
6. Nuk jemi dakord:
a. me strukturat që do të përfshihen në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve/prokurorëve; si dhe
b. mohimin e të drejtës kushtetuese të gjyqtarëve apo prokurorëve për një proces të rregullt ligjor.
7. Nuk jemi dakord me procesin e emërimit dhe funksionet e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
8. Nuk jemi dakord me përbërjen e Tribunalit disiplinor.
9. Mbi Gjykatën Kushtetuese:
a. nuk jemi dakord me formulën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, si dhe
b. kërkojmë respektimin e parimit të “superkonstitucionalitetit”.
10. Nuk jemi dakord me përfshirjen në sistemin gjyqësor të individëve jashtë rregullave normale të përfundimit të shkollës së magjistraturës.
11. Nuk jemi dakord me procedurën e emërimit të anëtarëve jo-gjyqtar/prokuror të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Qëndrimi i LSI-së për reformën në drejtësi

1. Një Gjykatë e vetme e Lartë.
2. Rishikim i rolit të Ministrit të Drejtësisë si garant i balancës dhe kontrollit të pushteteve.
3. Vendosja e parimit të rekrutimit profesional dhe karrierës në gjyqësor.
4. Rishikim i rolit të Prokurorisë. Kundër decentralizimit të Prokurorisë.
5. Rishikim i formulës së përbërjes së disa organeve kushtetuese.

Top Channel