Integrimi drejt BE, Shqipëria shënon një tjetër moment historik, të hënën çelet grupkapitulli i fundit i negociatave Duke i dhënë përgjigje Arta Dades dhe Mimoza Hafizit për incidentin e Elbasanit, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi e ka konsideruar çështjen si një problem të strukturave të partisë në Elbasan.
Kjo përgjigje e Ruçit nuk ka kënaqur protagonistin e ngjarjes, Ben Blushin, i cili ka kërkuar distancimin e qendrës nga incidenti. Por Edi Rama, i cili deri më tani Blushit i ishte përgjigjur në distancë, si në Elbasan, duke e krahasuar me kukuvajkë, kësaj here fillimisht i ka drejtuar 3 pyetje.
“Ke dy vite e gjysmë që vetëm akuzon. Ja ku na ke të gjithëve përballë. Na i trego këtu. Kush janë kriminelët në grup? Kush janë shokët e mi kriminelë? Kush e ka kërcënuar një deputete femër”, tha Rama.
Blushi nuk ka dhënë emra, por i ka permendur Edi Ramës raste flagrante, ku sipas tij elementë kriminalë të afruar në parti pas 2013-s kanë bërë kërcënime dhe shantazhe.
Një burim nga mbledhja e grupit i tha Top-Channel se Rama, me një ton shumë të fortë e ka quajtur Blushin shpifës dhe ngatërrestar, që flet vetëm sajesa, akuza këto, të cilave vetë Blushi i është përgjigjur duke e cilësuar kryeministrin si demode.
I vetmi që ka folur pas debateve të ashpra Rama-Blushi ishte deputeti Pjerin Ndreu, i cili ka deklaruar se, “ngjarja e Elbasanit nuk e nderon PS, kjo duhet thënë. Dhe nga ana tjetër, Blushi nuk ka të drejtë për debatin e zgjedhjes së kryetarit”.
“Të thuash se ka banditë në një kohë kur ishe anëtar kryesie dhe s’the asgjë për 2 vjet është amorale dhe kompromenton qëllimin tënd. Kjo rrugë na çon te Berisha”, deklaroi Ndreu.
Por Ndreu ka lëshuar akuza edhe për kolegun Koço Kokëdhima. “Del një deputet e sulmon me gazetë kryetarin e Bashkise së Tiranës për një drejtor që iu hoq. Kjo është e turpshme”, tha ai.
Sipas disa portaleve online, në një moment gjaknxehtësie kryeministri Rama ka hedhur një gotë me ujë në tokë. Por para kamerave ai e la debatin atje ku nisi, brenda dyerve të mbledhjes së grupit. Jashtë dyerve, si gjithmonë, debatin me Blushin e vazhdoi Taulant Balla.
“Unë i kam falur ata djemtë në Elbasan, sepse e di që janë nën ndikimin e një presioni psikologjik që i bëhet nga selia, kur iu flitet për armiq të partisë. Unë do të doja që PS-ja të distancohej nga kjo vijë politike”, deklaroi Blushi.
“Sintonia e Blushit me SHQUP-in është për të ardhur keq. Nuk duhet t’i fyejnë sallat prej nga ku janë zgjedhur”, replikoi Balla.
Për herë të parë, Blushi dhe Balla folën sot për të ardhmen e këtij debati. Edhe këtu, pozicionet ishin të ndara. “Nëse partia nuk mban distancë nga këto sjellje, atëherë kemi një problem të madh pedagogjie politike”, vijoi Blushi.
Ndërsa Balla, kur u pyet nga Top Channel se, cili do të jetë fati i mëtejshëm i kolegut Blushi, u përgjigj: “Çdokush e zgjedh fatin vetë”.
Top Channel