Në ditën që ligji i dekriminalizimit nisi zbatimin, Lulzim Basha zgjodhi të takohet me strukturat e Partisë Demokratike dhe me qytetarët e Bashkisë së Krujës, duke u dhene atyre mesazhin se ne Kruje zgjedhjet e parakohshme jane vetem ceshtje kohe.
Burime zyrtare konfirmuan për Top Channel se, Lulzim Basha u ka kërkuar drejtuesve demokratë lokalë të përfundojnë pa vonesë procesin e zgjedhjes së kryetarit të degës, i dorëhequr pak kohë më parë.
Partia Demokratike thotë se, kryetari aktual i Bashkisë së Krujës është subjekt i ligjit të dekriminalizimit, për shkak të së kaluarës në Itali dhe se është vetëm çështje kohe, derisa kjo të provohet sipas procedurave të ligjit.
Këtë çështje, kreu i opozitës e konsumoi me strukturat lokale të opozitës, ndërsa me banorët e Bashkisë së Krujës, në fshat dhe qytet, Basha u përqëndrua tek ajo që e cilëson si përkeqësim të gjendjes ekonomike për shkak të korrupsionit qeveritar.
“Paratë dalin nga xhepat tuaja dhe dikush vendos atje, që nuk do të vijnë në Bilaj e Murqin, por do të shkojnë të bëhen kullë në Korçë e Lungomare që s’po mbaron kurrë në Vlorë. Skemë e pastër korrupsioni”, tha Basha. “Sa më gjatë qëndron në televizor kryeministri, aq më e madhe është rrena, aq më e madhe është vjedhja, aq më i madh është mjerimi”, shtoi më tej ai.
Me Krujën, Lulzim Basha hapi turin kombëtar të takimit me strukturat dhe qytetarët, por që do të ndërpritet për disa ditë javën e ardhshme, për shkak të vizitës në Shtetet e Bashkuara.
Top Channel