Shpronësimet e “Bulevardit të ri”, Bashkia: Disa banorë, probleme dokumentesh

06/03/2016 00:00

Kompetencën për vlerën e kompensimit të banesave, që janë prekur nga ndërtimi i “Bulevardit të ri” të kryeqytetit, nuk e ka Bashkia e Tiranës.

Drejtori i projekteve strategjike, Genc Kojdheli thotë në një intervistë për Top Channel se, çmimet që janë kundërshtuar nga banorët, shtëpitë e të cilëve tashmë janë prishur, janë përcaktuar nga qeveria.

“Institucionalisht, Bashkia e Tiranës nuk ka kompetencën që t’i hyjë një procesi të rivlerësimit të vleftës së pasurisë. Pra, se me çfarë vlere do të shpronësohen këto toka nuk është kompetencë e jona ta vendosim. Në fakt, sipas ligjit, kjo bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) dhe ky vendim ka dalë që në vitin 2013. Kemi pasur një VKM të qeverisë ‘Berisha’, më pas një VKM të qeverisë ‘Rama’, dhe ne si institucion zbatues vetëm e vëmë në jetë këtë VKM”, thotë Genc Kojdheli.

Lidhur me pretendimin e banorëve se, edhe ato pak parà nuk u janë dhënë, Kojdheli shprehet:

“Ka pasur raste që, pas presionit tonë e kanë sjellë, pra pas këmbënguljes së përfaqësuesve të bashkisë kanë sjellë dokumentacionin dhe janë paguar. Ka persona që sot e kanë marrë kompensimin. Ashtu sikurse ka shumë të tjerë që nuk kanë qenë dakord me vlerën e kompensimit dhe nuk kanë sjellë asnjë dokument mbështetës”.

Kundërshtimi i vlerës së kompensimit ka sjellë përplasje të herëpashershme të banorëve të kësaj zone me policinë, teksa në disa raste është ndërhyrë edhe me forcë për të mundësuar shembjen e ndërtesave.

Top Channel