Prokuroria mbështet masat e Ambasadës së SHBA: Hetim gjyqtarëve

06/03/2016 00:00

Edhe Prokuroria e Përgjithshme paralajmëron hetime për gjyqtarët e korruptuar, që dyshohen se për këtë shkak iu është refuzuar apo anuluar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sikurse ministri i Drejtësisë apo Unioni i Gjyqtarëve, edhe organi qëndror i akuzës duket se është në pritje të listës së këtyre gjyqtarëve. Top Channel kërkoi një reagim nga Prokuroria e Përgjithshme, për qëndrimin që do të mbajë pas deklaratës së ambasadorit Donald Lu.

“Prokuroria vlerëson çdo informacion për korrupsion në drejtësi dhe më gjerë, që mbërrijnë nga burime të besueshme. Ambasada amerikane është një ndër partnerët më të ngushtë të Prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, ndaj dhe informacionet e saj për vepra të ndryshme penale kanë shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve konkrete”, tha Albi Serani, këshilltar i prokurorit të Përgjithshëm.

Por, nga ana tjetër, zyra e shtypit nuk dha asnjë koment, nëse kanë nisur apo jo sërish hetimet për Gjin Gjonin, gjyqtar dhe anëtar i KLD-së, emri i të cilit u publikua nga Top Channel, si njëri ndër gjyqtarët që u është refuzuar viza nga SHBA-të.

Gjatë javës, Top Channel mësoi ekzistencën e listës me emrat e gjyqtarëve, të cilët kanë aplikuar, ose do t’u refuzohet viza në rast se do të aplikojnë, për të marrë vizën për në Shtetet e Bashkuara.

Mes tyre ka gjykatës dhe drejtues në të gjitha nivelet e gjykatave të vendit. Ndërkohë, të hënën priten gjithashtu emërime të reja në disa gjykata, përfshirë edhe atë të Apelit. Mbetet për t’u parë nëse reagimi i ambasadorit Lu, për gjyqtarët e korruptuar, do të ketë apo jo ndikim edhe në këto emërime.

Top Channel