Donald Trump kërkon një përballje kokë më kokë me Ted Cruz, e për këtë arsye i ka nxitur kandidatët e tjerë të braktisin garën për nominim.
Kjo mund të jetë mbase e vetmja herë, që mendimin e manjatit të pasurive të patundshme e ndan dhe senatori i Teksasit, i cili u ka kërkuar dhe ai rivalëve kryesorë, Marco Rubio e John Kasich të bëjnë mënjanë.
Trump dhe Cruz morën secili dy shtete në votimet e së shtunës. Po kaq siguroi në kampin demokrat dhe Bernie Sanders, por Hillary Clinton vazhdon ta ruajë statusin e kryesueses pas fitores së thellë të korrur në Louisiana.
“Do të doja të merresha me Cruzin tek për tek”, ishin komentet e Trumpit, kur u qartësua triumfi i tij në primaret republikane të Kentuckyt dhe parapraket e Louisianas.
“Marco Rubio pati një mbrëmje shumë të keqe – shtoi ai. – Personalisht mendoj se është koha ta lërë garën”.
Cruz, që një thirrje të tillë e bëri edhe javën e kaluar, argumenton se, për sa kohë fusha republikane mbetet e përçarë, Trump do të vazhdojë të jetë i avantazhuar. Deri tani, as senatori i Floridës, Rubio, e as guvernatori i Ohios, Kasich, nuk kanë bërë ndonjë koment publik mbi këtë çështje.
Sidoqoftë, në këtë pikë edhe analistët janë të bindur se, Cruzi është i vetmi që mund ta ndalojë Donald Trumpin, vrulli i të cilit tashmë po i fut drithërimat edhe vet Partisë Republikane.
Top Channel