Barça i kundërpërgjigjet Realit, fiton 0-4 ndaj Eibar

06/03/2016 00:00

Barcelona mposht 0-4 Eibarin, me dy gola të Messi-t, një të El Haddadi dhe një nga Suarez, duke regjistruar ndeshjen e 36 pa humbje, një rekord absolut për kampionatin spanjoll.

Edhe pse në formacion për katalanasit mungonte Neymar, ata sërish dominuan totalisht ndeshjen duke mos e vënë asnjëherë në diskutim fitoren.

Në krahun e majtë të sulmit, në vend të brazilianit, ishte El Haddadi, i cili ia shpërbleu besimin trajnerit Enrique, duke shënuar golin e parë të ndeshjes në minutën e 8-të. Më pas ishte radha e Lionel Messit, i cili shënoi dy gola në këtë ndeshje, duke ruajtur formën e jashtëzakonshme, të cilën e tregoi edhe në mesjavë ku shënoi 3 herë në portën e Rayo Vallecanon-s. Në fund, Suarez vulos rezultatin në 0-4.

Pas javës së 28 në La Liga, Barcelona ndodhet 11 pikë larg nga Atletico, që do të luajë në mbrëmje në Valencia, ndërsa Reali i Madridit, i cili shkatërroi një ditë më parë 7-1 Celta-n, ndodhet në një pozitë aspak të favorshme në kampionat, pasi është 12 pikë larg katalanasve.

Top Channel