Të paktën 58 persona kanë mbetur të plagosur në Bangkok të Tajlandës, pasi motori i një mjeti lundrues shpërtheu teksa po hynte në mol.
Shumica e të plagosurve kanë marrë vetëm djegie të lehta, por dy prej tyre janë plagosur rëndë për shkak se janë goditur nga objektet që janë përhapur në ajër nga shpërthimi.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se shkak i ngjarjes ka qenë depozita e karburantit. Mediat lokale raportojnë se shumica e të lënduarve janë pasagjerë, që në momentin e shpërthimit po hipnin në bordin e mjetit.
Të ashtuquajturat taksi ujore luajnë një rol të rëndësishëm në trafikun e Bangkokut, sidomos kur bëhet fjalë për të shmangur atë të mbingarkuar rrugor.
Mbi 100 mijë persona i përdorin ato çdo ditë në kryeqytetin tajlandez, sipas të dhënave statistikore të vitit 2012.
Top Channel