Shqipëria, 5% të azilkërkuesve në vendet e BE; Eurostat: E dyta në Gjermani

05/03/2016 11:10

Eurostat ka publikuar raportin më të fundit për azilkërkuesit që janë regjistruar për herë të parë në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2015. Sipas këtyre shifrave, në total janë bërë 1.255.600 aplikime në të 28 vendet e BE-së, ku kryesojnë ata nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Sipas shifrave të publikuar nga Eurostat, Shqipëria përbën 5 % të të gjithë azilkërkuesve në 2015, e përkthyer në shifra, plot 65 935 kërkesa për azil.

Gjermania është vendi më i kërkuar nga azilkërkuesit shqiptar, ndjekur pas nga Franca dhe Suedia. Në Gjermani, Shqipëria renditet pas Sirisë për kërkesat për azil, me 12% të totalit të tyre, apo 53 805 kërkesa vetëm në 2015. Ndërsa në Francë shqiptarët bëjnë 4% të aplikimeve, apo 3220 kërkesa, dhe në Suedi 3.9% të aplikimeve, apo 2565 kërkesa.

Eurostat bën të ditur se në 28 vende të BE-së krahas këtyre shifrave, të publikuara për 2015, ka ende edhe 1 milionë kërkesa të tjera në pritje të një përgjigje, ku numrin më të madh e zë Gjermania.

Në fund të 2015, janë ende duke u marrë në konsiderate nga autoritetet përgjegjëse vendase 922 800 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare. Ndërkohë që në fund të 2015, ishin gati gjysma e tyre, 489 300.

Top Channel