Parlamenti siç do ta donim

05/03/2016 00:00

Nga Ndue Dedaj – Se si është shprishur Parlamenti ynë e di i madh dhe i vogël, nuk e do as ai veten; aty lëshohen akuza të ndërsjella për afera, flitet për kriminelë, tradhtarë e të korruptuar, për heronj e heroina partie, që kinse luftojnë për kauzën e madhe të popullit, por që vetëm popullin s’e kanë askund në llogari, pasi më e pakta do të kursenin fjalorin denigrues, që është po aq vulgar sa ai i rrjeteve të ashtuquajtura sociale. Pse të mos bëjnë ashtu?! “Deputetë listash” janë.

Nuk është çudi që ndokush të hartojë fjalorin e sharjeve dhe etiketimeve monstruoze të deputetëve ndaj njëri-tjetrit në këta 25 vjet dhe t’ua bënte dhuratë “autorëve” gjuhështhurur. Deputetët e regjimit të kaluar nuk e shkruajnë në autobiografi se kanë qenë të atillë, ngaqë u vjen turp se i kanë shërbyer diktaturës symbyllazi, dhe pse ata shkonin në seancat e Kuvendit me autobusin e linjës së Memaliajt, apo të Martaneshit. Zor se dhe këta të sotmit do ta shkruajnë se kanë qenë deputetë, dy-tre madje janë shprehur se do ta shohin me themel qëndrimin e tyre të mëtejshëm në këtë Parlament.

Pas kësaj ç’na mbetet të themi ne të tjerët për deputetët që i kanë listuar kryetarët e partive dhe i ka firmosur populli? Aq më tepër që kryetari i partisë kryesore në pushtet jo vetëm që nuk pendohet për prurjet e tij në Kuvend nga qarku më i përfolur, ai i Lezhës, por deklaron për të dytën herë në media se, prapë po të kthehej në 2013-n do të zgjidhte po atë kast deputetësh.

Pa anashkaluar edhe (për)zgjedhjen parlamentare nga krahu tjetër politik, ku intelektualë të njohur janë zëvendësuar me militantë të orës së fundit. Për ata që i prekin e shoshitin realitetet e bazës një gjë është e sigurt, në politikën shqiptare; si kryetarët e vjetër, si ata të rinj, deri më tash kanë pasur vetëm një qëllim: të vendosin kandidatura individësh të përdorshëm, të afërt me lidershipin, që shkrihen për partinë dhe karrigen e tyre.

Ndaj kemi mbërritur në një pikë, ku nuk ka më shpresë se gjërat mund të bëhen ndryshe, as në Tiranë, as në Prishtinë. I bërë lëmsh Parlamenti këtu, tym e gaz atje. Më mirë të mos jesh në këtë orbitë, apo të mbyllësh sy e veshë, në ditët e seancave parlamentare vezë-hedhëse këndej e lotsjellëse andej. Ka vetëm një shpjegim kjo situatë kaotike parlamentare në Shqipëri e në Kosovë: tempulli i fjalës është kompromentuar, aty nuk peshon fjala, që jo vetëm që nuk është më e para, por as e fundit.

Në vend të saj ka hyrë paraja që e shit-blen politikën dhe e degjeneron pushtetin. Ky është dhe kriminalizimi i vërtetë parlamentar, dalja deputet me vota të blera në pazarin e elektoral. Atëherë çfarë duhet bërë? T’i dorëzohemi fatalitetit se ky vend nuk bëhet? Se shqiptarët nuk dinë të qeverisen? Jo, ka ende mundësi për të ndryshuar.

Tre modele historike opozitare për t’u ndjekur. Ta fillojmë nga tradita e pakët, por e vyer parlamentare, tri herët kur Shqipëria ka pasur me të vërtetë deputetë të popullit e jo të kryetarëve të partive, më 1921, 1945 dhe 1991. Të tria herët kanë qenë deputetët e opozitës që i kanë dhënë kuptim parlamentarizmit te ne. Pas dy muajsh, me 21 prill, është 95-vjetori i Kuvendit të parë të Shqipërisë prej 78 deputetësh, për të cilët shkruhet se “ishin më të arsimuar, kulturuar, qytetëruar e atdhetarë se këta të sotmit”.

Mjafton publikimi i listës së parlamentarëve nga fillimet, bashkë me diplomat universitare dhe titujt akademikë të tyre, që këta të sotmit të ballafaqojnë veten me ta. Të shohin se kush ishte Ambroz Marlaskaj e Sejfi Vllamasi, Gjergj Fishta e Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi e Fan Noli, më pas në kohën e mbretërisë Hil Mosi e Mehdi Frashëri dhe pas luftës Sejfulla Malëshova e Medar Shtylla, Aleksandër Xhuvani e Manol Konomi.

Dhe sidomos “Grupi i Deputetëve”, ekzekutuar me 1947 nga regjimi komunist, 16 intelektualë nga më të shquarit me bindje të majta e të qendrës, që donin të realizonin opozitën në Kuvendin Popullor, të diplomuar në universitetet më në zë të Europës. Shefqet Beja, intelektual tipik i kohës, që deklaronte në gjyq se “ne donim një pushtet me idealet demokratike të Perëndimit”; Riza Dani, parlamentar i 1924-s dhe qeveritar në disa rajone të vendit; Selaudin Toto, penë e mprehtë e viteve ’30; Sulo Klosi i diplomuar në Strasburg, kryeinxhinier i minierës së Rubikut; Enver Sazani, mjek i diplomuar në Lion, Sheh Ibrahim Karbunara, Mehmet Prishtina, Beqir Çela, Selim Kokalari, Tefik Delialliasi, Hysen Shehu etj.

Për të ardhur në ’91-in te Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Dritëro Agolli, Sabri Godo, Rushen Golemi etj. E vërteta është se peshat e lehta hynë si në shtëpinë e tyre në Kuvendin Popullor të djeshëm, sharrëtarë, minatorë, mjelëse të dalluara, që vinin e ngrinin dorën në Tiranë dy herë në vit kur i thërriste Partia për të legjitimuar “demokracinë popullore” të diktaturës.

Përfytyroni sikur aty të ishte dhe “borgjezi” elitar Lasgush Poradeci, si do të ndihej turma e ligjvënësve popullorë. Nuk është e rastit që Kadare ishte vetëm një mandat deputet, kur anëtarët e Byrosë Politike mediokër nuk dilnin kurrë nga Kuvendi dhe as në pension, sepse dobësohej Partia, thënë ndryshe pushteti i përjetshëm i diktatorit. Edhe në demokraci, herë pas here e kemi prishur atë që patëm ndrequr.

Në Qarkun e Lezhës kanë qenë deputetë: Rudolf Marku, Preç Zogaj, Ndre Legisi, Zef Brozi, Nikollë Lesi, Luigj Gjoka, Mark Marku etj. Shkurt, i kemi pasur përfaqësuesit, mund të ishin dhe sot ata e të tjerë, por ne nuk e duam këtë specie “rebele”, të pabindur ndaj kryetarëve. Ndërkohë, kemi gojë e themi nuk na afrohen intelektualët, nuk bashkëpunojnë, elitat rrinë larg politikës etj. Sigurisht, ata kanë vetëm një armë, fjalën. Dhe nuk dinë të sillen cubçe në Parlament. Paradoksi ishte se në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, gazi lotsjellës u hodh në çastin kur iu dha fjala Sabri Hamitit, që të gjithë aty e thërrasin “profesori”. Po ku duan t’ia dinë militantët e dorës së fortë politike se kush është ky individualitet i spikatur i letërsisë dhe kulturës shqiptare. Apo na duhet rithemelimi i Republikës parlamentare?

Për çudi nuk po tejkalohet një model megaloman që sfilon para foltores së Kuvendit për t’u “kualifikuar” kësisoj për zgjedhjet e ardhshme. Dikur të bënte përshtypje se si njerëz gjysmë të shkolluar të bazës lulëzonin atje lart me fjalime gjithë lulka, ku i bënin fresk të parit të vendit dhe kështu shpejt bëheshin persona VIP, fotot e tyre dilnin në gazeta me germa të mëdha dhe ata të shkretët besonin se ishin bërë të rëndësishëm në mbarë vendin. Tani është dhe kjo mënyrë për shefat e partisë, por është shtuar dhe tjetra, lufta “dhëmb për dhëmb” me ata të partisë tjetër.

Parlamentarët janë aty jo për fyerjet, përgojimet, denigrimet, gjuajtjen me vezë, rrethimin e foltores, prishjen e kompjuterëve si vandalë, grushtet mbi njëri-tjetrin, shpesh duke u ndier keq dhe vetë familjarët e tyre. Në botën e zhvilluar deputetët nuk mund të kuptohen pa parime, ashtu siç i kishte dhe Shefqet Beja me shokë. Po a kanë parime deputetët e sotëm? Në perceptimin e publikut jo, sepse po të kishin parime nuk do të dëftonin orë e çast zell partiak në përballjet me kundërshtarët politikë, përkundrazi do të ligjëronin me përgjegjshmëri për hallet e mëdha të popullit. Deputetët nuk e dinë sa banorë kanë ikur nga zonat e tyre, nuk shkelin nëpër shkolla për të parë sa banka kanë mbetur bosh, por merren me problematika dytësore.

Nuk janë problemet komunale detyrat e deputetit të sotëm, por politikat e favorshme ndaj votuesve të tyre. Ligjvënësi e detyron ekzekutivin të lëvizë jo me replika idhnake partiako-parlamentare, por përmes nismave ligjore efikase apo dhënies së alarmit për varfërimin e popullatës, siç bënte këto ditë deputetja opozitare e Tropojës, gjatë një daljeje televizive nga terreni. Nuk ikin njerëzit nga mirëqenia. Popullsia ka rënë nën 3 milionë dhe të mandatuarit tanë bëjnë sherr në Kuvend. Për këtë situatë kanë përgjegjësinë e tyre ata që i prijnë karvanit të politikës prej vitesh, Berisha, Rama, Basha, Meta etj.

Shoqëria nuk i ka gjetur mekanizmat që liderët politikë të votohen në forumet partiake, duke mos i pasur partitë çiflig të vetin dhe të klaneve. Të gjitha këto dihen dhe zor se këtë sistem parlamentar mund ta reformojnë ata që vetë e kanë modeluar ashtu. Atëherë ne si publik kemi një alternativë: t’ia lëmë sovranit në dorë, që Presidenti i vendit dhe deputetët të zgjidhen drejtpërdrejt nga populli. Përndryshe, gjërat do të lëvizin prapë ngathët, me hapin e breshkës, sa për t’u lëçitur para ndërkombëtarëve që kanë gurin dhe arrën. Nëse nuk ndodh asnjë ndryshim pozitiv në reformimin e njëmendët zgjedhor, ka dhe një zgjidhje të fundit. Radikale natyrisht, por thellësisht demokratike: bojkotimi masiv i zgjedhjeve të ardhshme, çka do të bënte të rithemelohej Republika parlamentare, si këtu, si në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA