Masakra e Elbasanit, 1 muaj pas krimit asnjë i dyshuar

05/03/2016 15:15

Ka kaluar më shumë se një muaj nga krimi i trefishtë i pagëzuar si “masakra e Elbasanit” dhe ende nuk ka asnjë person të dyshuar.

Burime pranë prokurorisë së qytetit kanë pohuar për Top Median se, pavarësisht veprimeve të shumta hetimore që janë kryer, ende nuk ka asgjë konkrete sa i takon identifikimit të autorëve të kësaj masakre dhe aq më pak porositësve apo motiveve.

Të njëjtat burime janë shprehur se është ngritur një grup i posaçëm hetimi me tre prokurorë dhe katër oficerë të policisë gjyqësore, të cilët raportojnë çdo javë tek drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit.

Edhe pse në këtë ngjarje mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë, askush nga këta të fundit apo dhe familjarët e viktimave nuk kanë treguar fakte që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij krimi.

Nga ana tjetër, autorët e masakrës kanë qenë shumë të kujdesshëm që të lënë për policinë vetëm armët pa shenja gishtash dhe të zhduken së bashku me mjetet e tyre.

Top Channel