Integrimi drejt BE, Shqipëria shënon një tjetër moment historik, të hënën çelet grupkapitulli i fundit i negociatave Pas orë të tëra negociatash, palët gjetën konsensusin për aktet nënligjore të dekriminalizimit, duke e finalizuar atë në Parlament. Demokratët besojnë tek kriteret e rrepta të formularit. Me 114 vota pro, ligji u miratua.
“Kjo që keni sot përpara është projektvendim shumë i detajuar që nuk lë shteg që kriminelët të shpëtojnë, as atyre që janë sot, as atyre që duan të hyjnë në të ardhmen duke u hequr alibinë atyre që i kandidojnë”, deklaroi deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.
Ndërsa Gramoz Ruçi ironizoi negocimin e gjatë dhe shpesh herë me qëndrime, sipas tij, kaotike të dy linjave në drejtimin e Partisë Demokratike.
“Shyqyr, zoti Berisha që e lëshove më së fundi tymin, se e mbajte ngrehur dy ditë. Por uroj dhe shpresoj që askush të mos ta bëjë objekt konflikti me Kushtetutën e vendit, që në këtë hartim dhe tjerrje të madhe që keni bërë të na i hedhë poshtë si shumë gjëra të tjera”, deklaroi Ruçi.
Por pavarësisht konsensusit për dekriminalizimin, demokratët kerkuan zbatimin e 3 kushteve të tjera të vendosura prej tyre: pezullimin me ligj të Armando Prengës, ndryshimin e ligjt për komisionet heitmore dhe dërgimin në Kushtetuese të mandateve të 3 deputetëve socialistë, që sipas opozitës kanë përfituar fonde publike; kërkesa të cilat u bënë shkak që ata të braktisnin këtë seancë sapo përfundoi votimi me konsensus i akteve të dekriminalizimit.
“Quajeni më shumë se bojkot, pasi në mënyrë absolute të gjitha opsionet janë të hapura. Është i hapur dezintegrimi i Parlamentit”, deklaroi ish-kryeministri Berisha.
Bojkoti i opozitës, që ishte vetëm për këtë seancë, për socialistin Pandeli Majko ka vetëm një shpjegim. “Reforma e drejtësisë të mos votohet në këtë Kuvend. Unë vetëm kaq dua të them, në këtë Kuvend reforma e drejtësisë do të votohet”, tha Majko.
Ndërsa kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, që përshëndeti konsensusin, beson tek veprimet e matura të ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Doktori është ndarë me kohë nga bojkoti dhe jam i bindur se do të vazhdojë të japë kontributin e tij dhe eksperiencën e tij tek përfaqësuesit e rinj të PD. Mos më detyroni të them që, po la doktori mandatin mund të bëj edhe unë ndonjë hata“, tha Meta.
Top Channel