Vrasja për sherrin në lokal, gjykata la në burg pa afat Gëzim Kajnon

04/03/2016 00:00

Gëzim Kajno, autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit Asllan Kërtusha, është lënë me masën e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Durrësit.

Kajno u arrestua disa ditë më parë pas plagosjes së 30-vjeçarit Kërtusha, me armë zjarri, i cili më pas humbi jetën në spital. Në ngjarje mbeti i plagosur edhe një person i dytë, edhe ai i arrestuar me akuzën e bashkëpunimit në krim.

Një ditë më parë prokuroria shpjegoi dinamikën e ngjarjes, filmuar në një kamera sigurie. Pamjet e kameras janë edhe prova më e fortë e prokurorisë. Sipas pamjeve, viktima Asllan Kërtusha, në gjendje të dehur kishte krijuar probleme në lokalin e shtetasit Gëzim Kajno. Ky i fundit, bashkë me një kushëri të tij, shkon në lokal dhe nisin të dhunojnë fizikisht viktimën duke e qelluar edhe me qytën e një pistolete.

Më pas dalin nga mbulimi i kameras dhe kur rikthehen, prokuroria sqaron se kushërinjte Kajno përpiqen të nxjerrin me forcë nga një taksi viktimën duke e qëlluar. Më pas shtetasi Asllan Kërtusha humbi jetën në spital për shkak se ishte qëlluar me plumb në gjoks.

Autori i ngjarjes, nuk foli para gjykatës duke u justifikuar se ishte i tronditur, ndërsa avokati e cilësoi ngjarjen aksidentale. Gjykata në fund pranoi kërkesën e prokurorisë, e cila akuzon shtetasin Gëzim Kajno për “vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje”.

Top Channel