Turqi, konfiskohet gazeta e rivalit të Erdogan

04/03/2016 18:45

Një gjykatë turke ka sekuestruar asetet e gazetës “Zaman”, një zë kritik ndaj presidentit Recep Tayip Erdogan. Administratorë shtetërorë janë caktuar për të menaxhuar gazetën, ndërkohë që nuk ka ende një sqarim për vendimin e gjykatës.

“Zaman” është e afërt me lëvizjen Hizmet të klerikut Fethullah Gulen, ish-aleat i Erdogan që aktualisht jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet turke e cilësojnë lëvizjen Hizmet një “organizatë terroriste” që synon sipas tyre rrëzimin e qeverisë. Për këtë arsye, shumë bashkëpunëtorë të saj janë arrestuar.

Nga ana tjetër, qeveria e zotit Erdogan është ndodhur nën një presion ndërkombëtar në rritje për trajtimin ndaj gazetarëve.

Në një deklaratë për shtyp, gazeta “Zaman” deklaroi se vendi po shkonte drejt “ditëve më të errëta e më të zymta” sa i takon lirisë së shtypit.

Organi mediatik shprehu “shqetësimin e thellë” për vendimin e gjykatës, që është sipas saj kulmi i presionit që zgjat prej mëse dy vjetësh ndaj gazetës me tirazhin më të lartë në vend.

Gazeta pretendon se, presioni ndaj saj është ushtruar përmes sanksioneve bankare, inspektime arbitrare të tatimeve dhe madje, kërcënim ndaj lexuesve të saj.

Kryeredaktorja Sevgi Akarcesme tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se, “ky është fundi i lirisë së shtypit në Turqi”. “Media ka qenë gjithmonë nën presion, por nuk ka qenë kurrë kaq rëndë”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA