Policë italianë për refugjatët, kontrolle të përbashkëta edhe në kufi me Greqinë

04/03/2016 19:45

Italia do asistojë me mjete dhe ekspertë sigurie edhe në kufirin tokësor të Shqipërisë me Greqinë e Maqedoninë, ndërsa do të bëhen patrullime të përbashkëta në det përmes operacionit “Triton”.

Vendimi është marrë gjatë një takimi mesditën e së premtes midis ministrit të Brendshëm italian, Angelino Alfano dhe atij shqiptar Saimir Tahiri. Në një intervistë telefonike dhënë për Top Channel, Tahiri dha detaje në lidhje me vendimin.

“Vendosëm dhe ramë dakord me ministrin Alfano për kërkesën tonë, që policia shqiptare të asistohet nga ajo italiane fillimisht me infrastrukturë, për të pasur një kontroll më të mirë në kufi”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm shqiptar sqaron se gjithçka bëhet për të parandaluar terrorizmin dhe krimin e organizuar, që mund të përfitojne nga situata aktuale ku ndodhet rajoni.

“E theksoj se kjo nuk ka të bëjë detyrimisht me emigrantët, por ka të bëjë së pari me sigurinë, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe një ndër aspektet kryesore të riskut në këtë aspekt është pikërisht fluksi i emigrantëve. Ne do të vazhdojmë me përmirësimin e kapaciteteve të policisë për të pasur nën kontroll të plotë kufirin me Greqinë dhe Maqedoninë dhe nëse do të kemi një fluks emigrantësh do të marrim masa të mëtejshme. Por kjo mbetet për t’u parë sepse nuk mund të vendoset që tani”, nënvizoi Tahiri.

Në takim është diskutuar edhe për një mbeshtetje nga pala italiane për ngritjen e qendrave të pritjes dhe identifikimit të emigrantëve në territorin shqiptar, nëse do të ketë një krizë humanitare.

Top Channel