Lejet fillojnë në qershor, Gjermeni: Plan rregullues edhe për bregdetin

04/03/2016 20:00

Pas një periudhe bllokimi të lejeve të ndërtimit, si për t’i dhënë frymë territorit pas kaosit të ndërtimeve pa kriter, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni sqaron se bashkitë që kanë plan vendor vijojnë të japin leje normalisht.

Ndërsa ato bashki që nuk kanë ende një plan, kufizohen në dhënien e lejeve për ndërtimin e banesave individuale dhe objekteve me karakter ekonomik.

“E theksoj që nuk ka pezullim të dhënies së lejeve të ndërtimit. Bashkitë mund dhe duhet të mos e pengojnë zhvillimin”, deklaron Gjermeni.

Qeveria po mbështet 26 bashki të mëdha në vend për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, ndërsa 5 të tjera po asistohen nga USAID.

Gjermeni thotë se planet vendore do të jenë gati brenda qershorit dhe se deri në këtë moment, përgjegjëse për dhënien e lejeve për ndërtesa mbi 6 kate është Këshilli Kombëtar i Territorit. Në këtë listë bëjnë pjesë edhe 11 bashkitë e zonës bregdetare.

“Deri në këtë moment, pra momentin e hartimit të planeve të përgjithshme vendore, përgjegjësinë, autoritetin për të dhënë leje për zonën bregdetare e ka Këshilli Kombëtar i Territorit, për shkak të rëndësisë që ka ky brez për zhvillimin ekonomik, por edhe për të mundësuar harmonizimin e interesave publike me ato të zhvillimit privat në këtë zonë”, nënvizon Gjermeni.

Paralelisht me hartimin e planeve vendore, Shqipëria do të ketë për herë të parë një plan të përgjithshëm kombëtar dhe atë të bregdetit, që parashikojnë zhvillimin e territorit për 15 vitet e ardhshme.

Top Channel